Luhen sot ndeshjet e kthimit të turit të parë të Kupës së Shqipërisë në futboll. Vllaznia, pjesë e Grupit B pret në Shkodër, Labërinë. Takimi i parë i luajtur në Vlorë është mbyllur me fitoren e vlonjatëve me rezultatin 2 me 1.
Kuqeblutë, që sot, në ndryshim me ndeshjen e parë ku aktivizuan formacionin e dytë, sot do të jenë në fushë me lojtarët më të mirë. Kjo, jo vetem për të siguruar kualifikimin për në turin e dytë, por edhe për të kolauduar skuadrën në prag të supersfidës së javës së pestë, atë të Superiores, Vllaznia-Dinamo e planifikuar për t’u luajtur të hënën e ardhshme në “Loro Boriçi” duke filluar nga ora 19.45.
Ballafaqimi i sotëm për turin e parë të Kupës së Shqipëqrisë, Vllaznia-Labëria, luhet në stadiumin “Reshit Rusi” duke filluar nga ora 13.30.
Krahas çiftit, Vllaznia-Labëria, për Grupin B, luhen edhe këto ndeshje: Laçi-Butrinti, Kukësi-Maliqi, Kastrioti-Elbasani, Apolonia-Flamurtari, Egnatia-Turbina, Pogradeci-Besa dhe Tomorri-Lushnja.
Ndërkohë, për Grupin A, kalendari i ndeshjeve të sotme, është ky: Teuta-Luzi 2008, Partizani-Tërbuni, Tirana-Shkumbini, Skëndërbeu-Veleçiku, Korabi-Vora. Tre ndeshjet e tjera të këtij grupi, Bylis- Oriku, Dinamo-Erzeni dhe Burreli-Besëlidhja, do të luhen nesër.