Bylisi, Lushnja, Dinamo, Laçi dhe Teuta, janë skuadrat që pas ndeshjeve të kthimit të turit të parë të luajtura dutën e djeshme u kualifikuan në turin e dytë të Kupës së Shqipërisë.
Ndërkohë, 11 skuadra të tjera të ndara në dy grupe, A dhe B presin sot të marrin “bileten” e kualifikimit për në turin e dytë. Sfidat e sotme fillojnë që në orën 12:00 me çiftin Apolonia-Besëlidhja, që do të luhet në aneksin e stadiumit “Loni Papuçiu” të Fierit, për të vijuar më pas me ndeshjet e tjera të orës 14:00. Grupi A, ka këtë kalendar: Tirana-Veleçiku në kompleksin sportiv “Skënder Halili”, Partizani-Oriku në stadiumin “Elbasan Arena”, Vllaznia-Flamurtari në stadiumin “Loro Boriçi”, Vora-Kastrioti në kompleksin sportiv “Internacional” në Pezë-Helmes dhe Korabi-Besa në stadiumin “Korabi” në Peshkopi.
Ndërsa, sfidat e grupit B, janë këto: Kukësi-Labëria në kompleksin sportiv në Kamëz, Egnatia-Shkumbini në stadiumin “Arena Egnatia” të Rrogozhinës, derbi i Korçës, Skënderbeu-Maliqi në stadiumin “Skënderbeu”, Erzeni-Turbina në stadiumin “Tofik Jashari” të Shijakut, Tomori-Burreli në stadiumin “Tomori” në Berat.
Natyrisht, ajo që spikat më tepër është ndeshja që do të luhet në “Loro Boriçi” duke filluar nga ora 14:00, në mes Vllaznisë vendase dhe Flamurtarit mysafir. Ekipi vlonjat vjen në këtë përballje me avantazhin e ndeshjes së parë të fituar me rezultatin 2-1 dhe kërkon të largohet me kualifikim nga Shkodra. Por, ndryshe mendojnë në kampin kuqeblu, ku nga sa bëhet e ditur skuadra është e karikuar në maksimum për të përmbysur rezultatin e ndeshjes së parë, dhe me objektiv për të ecur edhe më tej në kupë, drejt fitimit të trofeut.