Sunday, December 29, 2024

Kuqezinjtë tanë në Europë, panorama e kampionateve ku ato luajnë

Lexo

Edhe pse kjo fundjavë nuk ka prodhuar gola nga futbollistët e Kombëtares shqiptare të cilët luajnë Europë, sërish vlerësohet pozitivisht për atë çka kuqezinjtë dhanë në fushën e lojës.

Lojtarët shqiptarë patën minuta nën këmbët e tyre, me disa që e nisën si titullarë, ndërsa disa të tjerë nga stoli. Ylber Ramadani, mesfushori i ekipit kombëtar ishte i vetmi asist kuqezi i kësaj fundjave. Djaloshi shqiptar aktivizohet në kampionatin skocez, në radhët e ekipit të Abeerden, teksa në sfidën e fundit ishte një nga heronjtë e ekipit të tij, që ndihmoi shokun e skuadrës për të zhbllokuar rezultatin e më pas për të fituar edhe ndeshjen. Uebsajti i specializuar për statistika, Sofascore e vlerëson Ramadanin me notën 7.5, lojtari shqiptar më i vlerësuar i fundjavës.

Edhe mbrojtësi Ivan Balliu ishte një nga futbollistët më të mirë në fushë në radhët e Rayo Vallecano-s, pavarësisht barazimit që ekipi i tij mori në shtëpi kundër Getafe-s. Ai u aktivizua që nga minuta e parë, teksa sipas Sofascore, mbrojtësi kuqezi vlerësohet me notën 7.1.

E një paraqitje të mirë në fushë dhuroi edhe gardiani i portës shqiptare, Elhan Kastrati, i cili luan me ekipin e Cittadella-s në Serinë B. Djaloshi shqiptar vlerësohet me një notë të lartë nga Sofascore, 7.2, pavarësisht kartonit të verdhë që mori në këtë ndeshje.

Kristjan Asllani po kthehet tashmë në një element të rëndësishëm tek Interi, teksa pas sfidës kundër Barcelonës në Champions League, ditën e djeshme pati mundësinë të ishte sërish pjesë e zikaltërve, duke e nisur nga stoli. 18 minuta pati në dispozicion djaloshi kuqezi për të ndihmuar Interin të fitonte ndaj Salernitanës.

Një lajm i mirë për Kombëtaren shqiptare është rikthimi i Berat Gjimshitit me Atalantën pas dëmtimit që e mbajti larg për disa javë. Edhe pse nuk ishte ende gati për të luajtur, futbollisti shqiptar ishte në stol në ndeshjen që Atalanta zhvilloi kundër Sassuolo-s.

Sa i përket vijës së sulmit, Sokol Cikalleshi e Taulant Seferi luajtën minuta të plota në radhët e ekipeve të tyre, por nuk arritën dot të gjenin rrugën e rrjetës. Pas dy golave e një asisti në mesjavë, as beratasi Myrto Uzuni nuk gjeti dot golin e radhës në sfidën e djeshme në ndeshjen që Granada luajti ndaj Tenerife-s, ndërsa për Armando Brojën pati pak minuta në dispozicion, që nuk i mjaftuan djaloshit kuqezi për të gjetur shënjestrën e saktë.

Minuta pati këtë fundjavë edhe për Keidi Baren, Endri Çekiçin, Nedim Bajramin, Amir Abrashin e futbollistë të tjerë kuqezi.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img