Monday, November 25, 2024

Kursi për video–analistin, FSHF nis regjistrimet Edicioni i 4-t i kursit, ja kriteret për të marrë pjesë

Lexo

Së shpejti do të nisë edicioni i katërt i kursit për video-analistë futbolli që organizohet nga Federata Shqiptare e Futbollit në datat 22-27 nëntor 2021.

Të gjithë personat e interesuar do të kenë mundësinë të marrin leksione dhe të asistohen nga stafi i Federatës, me në krye drejtorin e Departamentit të Analizës, Inovacionit dhe Skautizmit, Alarico Rossi, njëkohësisht edhe video-analist i Kombëtares shqiptare. Ata do të kenë mundësi të mësojnë mbi përdorimin e teknologjive te futbollit, të studiojnë teknikat e reja të analizave dhe të praktikohen me këtë profesion të ri.

Në fakt, video-analisti është personi që mbledh, përpunon, analizon dhe siguron të gjitha llojet e informacioneve të dobishme për ekipin dhe stafin.

Rezultatet e edicioneve të kaluara, së bashku me projektet e tjera e realizuar nga Departamenti i Analizës në FSHF, kanë bërë të mundur që roli i video-analistit të jetë gjithnjë e më popullor në botën e futbollit.

Për këtë arsye, për herë të parë në këtë edicion do të jetë pjesë e trupës mësimdhënëse edhe Edon Beliu, video-analist i Dinamos dhe i kombëtares U17, Fatjon Bardhi, video-analist i Supersport dhe i kombëtares U-19, Xhoen Tugu, video-analist i Vllaznisë dhe Totila Kotorri video-analist i klubit të Laçit.

Për ata që do të marrin pjesë në këtë kurs do të jetë një mundësi e shkëlqyer për të shkëmbyer eksperiencat me personat që tashmë punojnë në futbollin shqiptar e për të kuptuar më mirë detajet e këtij profesioni të ri. Përveç tyre, këtë herë kursi do të ketë një bashkëpunim edhe me Departamentin e Trajnerëve Atletikë i përfaqësuar nga Iris Selimi, i cili në edicionet e kaluara gjithmonë ka sjellë kontributin e tij të vlefshëm në analizën e stërvitjes dhe ndeshjes nga pikëpamja fizike.

Ashtu si në edicionin e kaluar, mësimet do të zhvillohen njëkohësisht në prani dhe online, për të lejuar që të gjithë të jenë në gjendje të ndjekin leksionet nga e gjithë Shqipëria.

E megjithatë, të gjithë personat e interesuar për të qenë pjesë e këtij kursi duhet të plotësojnë disa kritere që janë si më poshtë:

– Vendbanimi ne Shqipëri, sidoqoftë, Drejtoria Teknike rezervon të drejtën për të autorizuar pjesëmarrjen në Kurs për qytetarët shqiptare që banojnë jashtë vendit, për të gjithë ata që kanë shtetësi të dyfishtë dhe qëndrojnë jashtë vendit dhe për të gjithë ata që për arsye të konstatuara të punës ose studimit (me paraqitjen e një kopje të kontratës së punës ose certifikimit të universitetit ose një organi tjetër trajnues), të ketë vetëm vendbanimin e zgjedhur ligjërisht;

– Diplomë e Universitetit ose Shkollës Mesme;

– Kandidati duhet të jetë pajisur me certifikatë shëndetësore lëshuar nga organi përkatës (e marrë brenda 3 muajve të fundit);

– Njohja e gjuhës shqipe e cila mund të verifikohet përmes një certifikate të lëshuar nga organet kompetente;

– Dy fotografi format pasaporte.

– Fotokopje e ID ose e Pasaportës.

Në kurs do të pranohen maksimalisht 40 (dyzet) studentë pas seleksionimit prej komisionit, të cilët do të paguajnë një tarifë pjesëmarrjeje prej 300 euro.

Kërkesa për regjistrim duhet të dërgohet përmes postës elektronike në adresën drejtoria.teknike@fshf.al, përmes postës së zakonshme në adresën Rr. Liman Kaba, Nd 5, Hyrja 1, Njësia Administrative 5, Kodi Postar 1019, Tiranë ose të dorëzohen fizikisht pranë sekretarisë në të njëjtën adresë. Afati i fundit për paraqitjen e kërkesës është data 15.11.2021. Aplikimet që mbërrijnë pas afatit nuk do të pranohen.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img