Më së fundmi, Shkodra, do të bëhet me pallat të ri sporti. Një kërkesë e përsëritur dhe ripërsëritur shumë herë nga njerëzit e sportit në qytetin verior, por në të njëjtën kohë edhe sportdashësit e pasionuar shkodranë dhe më gjërë.
Lajmi bëhet i ditur nga Alban Hasani, drejtor i sporteve në Bashkinë Shkodër, i cili i ftuar mbrëmjen e së mërkurës në emisionin Studio Sport-RTSH Shkodra, tha se vendimi për një gjë të tillë është marrë këto ditë në insititucionin e Bashkisë Shkodër.
Sipas Hasanit, zyra e sporteve në Bashkinë Shkodër dhe personalisht vetë kryebashkiaku Bardh Spahia, në bashkëpunim me zyrën e urbanistikës, ka ditë të tëra që kanë studiuar hapësira në territorin e qytetit verior, ku edhe kanë përcaktuar dhe miratuar ndërtimin e një pallati të ri sporti.
Shkodra, me një aktivitet të zgjeruar të lojrave me dorë, si dhe sporteve të tjerë që ushtrojnë aktivitetin e tyre në salla të mbyllura, e ka të nevojshëm një pallat të ri sporti, pasi ai ekzistuesi nuk i përmbush kërkesat e ekipeve të shumta që ushtrojnë aktivitetin në pallatin aktual, “Qazim Dervishi”.
Gjithnjë, sipas drejtorit të sporteve në Bashkinë Shkodër, Alban Hasani, pallati i ri i sportit do të jetë në një zonë afër qëndrës së qytetit, dhe sipas projektit në fjalë, do të jetë i parametrave ndërkombëtarë, konkurues me vendet e zhvilluara të rajonit, duke bërë të mundur të presë evente të rëndësishme ndërkombëtare të sporteve të ndryshme.
Urojmë dhe shpresojmë që një lajm i tillë kaq pozitiv për sportin shkodran, të mos mbesë në letër dhe në kuadrin e projekteve, por, për vetë nevojat dhe domosdoshmërinë që Shkodra ka për një gjë të tillë, të bëhet e mundur sa më shpejt zbatimi në praktikë për fillimin e punimeve të një vepre të tillë sportive, që në fakt, Shkodra e pret prej vitesh, sepse është qyteti i fundit në Shqipëri i kategorisë së parë, që nuk disponon një mjedis të tillë sportiv bashkëkohor.
Gaspër MARKU