Vllaznia ka afruar deri tani dy lojtarë të rinj në merkaton e dimrit, mbrojtësin Serjan Repaj dhe sulmuesin Alfred Mensah, por merkatoja e shkodranëve është e bllokuar nga FIFA, për shkak të një detyrimi të prapambetur ndaj një ish-lojtari kuqeblu.
Me lëvizjet e bëra nga klubi mund të kuptohet se drejtuesit e Vllaznisë janë të vetëdijshëm për situatën dhe pritet që ta shlyejnë detyrimin brenda afatit të caktuar kohor, në mënyrë që të kenë mundësi të federojnë lojtarët e rinj. Prandaj ata kanë vazhduar punën normalisht gjatë kësaj periudhe, ku nuk kanë dashur ta komentojnë çështjen e borxhit. “Panorma Sport” mëson ekskluzivisht se shkaktar i bllokimit të merkatos për 9 herë kampionët e vendit është bërë Lorik Boshnjaku.
Mesfushori që tashmë është pjesë e Suharekës në Kosovë e ka çuar në FIFA skuadrën shkodrane dhe duket se e ka fituar gjyqin, kështu që pret të shlyhet me shumën, që sipas burimeve të gazetës, kap shifrën e 20-22 mijë eurove. Kujtojmë që futbollisti 29-vjeçar ka qenë pjesë e Vllaznisë për dy sezone. Boshnjaku u largua nga kuqeblutë në merkaton e verës së shkuar, por llogaritë me këtë skuadër duket se kishin mbetur të hapura, duke çuar tashmë deri në bllokimin e merkatos. Koha është e limituar në fakt, pasi këtë fundjavë rifillon kampionati me javën e 20-të dhe nëse duan të kenë të gatshëm kundër Tiranës edhe lojtarët e rinj që kanë afruar, drejtuesit e Vllaznisë duhet të shlyejnë boshnjakun.
MENSAH – Pas mbrojtësit Repaj, shkodranët kanë zyrtarizuar ditët e fundit të 2024-ës edhe afrimin e sulmuesit Alfred Mensah, ashtu siç gazeta kishte paralajmëruar më parë. Mensah e njeh mirë kampionatin shqiptar, ku më parë ka veshur fanellën e Skënderbeut dhe Partizanit, para se të kalonte te Ballkani në Kosovë. Vllaznia ishte në kërkim të një sulmuesi që të jetë në gjendje të zëvendësojë kapitenin Bekim Balaj dhe Mensah është alternativa që i ka bindur në këtë drejtim.
Klubi kuqeblu, në njoftimin zyrtar për afrimin e sulmuesit, saktëson se marrëveshja me të është bërë për 6 muajt e mbetur të këtij sezoni, me të drejtën e zgjatjes së kontratës edhe për një sezon tjetër. Trajneri Tomas Brdariç ka tashmë një formë më shumë për repartin e avancuar dhe mbetet të shihet se sa do të përshtatet afrikani me skuadrën e re. Gjatë këtij sezoni duhet theksuar se lojtari ka pasur një aktivizim të paktë me kampionët e Kosovës. Vllaznia ka alternativa të mira për krahët e sulmit, kurse për qendrën i gatshëm ishte vetëm Balaj, pasi sulmuesi i ardhur në verë, Matouti, përtej problemeve fizike, ka qenë larg pritshmërive të klubit dhe gjasat janë që të largohet nga skuadra.
Endri ÇINARI