Saturday, October 5, 2024

Marçelino Preka: “Nuk keni parë gjë akoma!” Shkdrani i cilësuar si “Heroi” i Partizanit në sfidën ndaj Bylisit, paralajmëron një supersezon

Lexo

Me golin e fitores shënuar sot ndaj Bylisit, Marçelino Preka është konsideruar me të drejtë si “heroi” i Partizanit. Jo vetëm goli  i shënuar me kokë, por shtatlarti i mbrojtjes së kuqe, përpos se ishte i pakalueshëm në prapavijë, u pa të lëvizë në të gjithë hapësirën e fushës së lojës duke qënë kudo një problem më vete për kundërshtarin, ndërkohë që kërcënoi dhe ishte shumë pranë edhe të një goli tjetër në portën ballshiote.

Profesionalizmin dhe qytetarinë e tij model që e karakterizon, në fushë dhe jashtë saj, Marçelino Preka e shfaqi edhe në momentin e shënimit të golit, ku me të dyja duart e ngritura lart,  nuk festoi, duke përcjellë respekt dhe mirënjohje për Bylisin, ish skuadrën e tij, me të cilin u rritë si futbollist përpara se të nënshkruante për Partizanin.

I rritur në një familje tipike sportive, me gjyshin Dedë Bregu, superkampion i mundjes së lirë, që sot i kaluar të 80-tave krenohet me nipin e tij, djalin e vajzës së tij Mira, edhe ajo pjesë e sportit me volejbollin, si dhe me tezen Vera Bregu, kampione dhe rekordmene absolute e atletikës në kërcim së gjati, dajën Paulin dhe vëllain Klaudio volejbollist, etj pjesëtarë të familjes që janë pjesë e sportit, Marçelino Preka, i ka të gjitha kriteret pritet të kapë majat e futbollit, synim dhe objektiv, të cilin ai e ka ushqyer që në fëmijëri.

Një gjë të tillë 21 vjeçari i talentuar i të kuqve, e paralajmëroi edhe vetë, kur i cilësuar nga specialistët e futbollit si “futbollisti i ndeshjes”, gjatë komunikimit me emisionin “Super Gol” në RTSH të drejtuar nga Hygerta Sako, ai u shpreh:

“Kemi 3 ndeshje që nuk pësojmë gol dhe kjo është e rëndësishme. Sa i përket golit të shënuar nga ana ime, kishim punuar në stërvitje, ishte skemë e trajnerit dhe besonim shumë që do të shënonim nga standartet. Meritë ka gjithë ekipi që nuk pësojmë gol, nuk është vetëm meritë e imja. Ky është viti im, s’keni parë gjë akoma”.

Përpos spikatjes që po bën me Partizanin, Preka është titullar edhe tek Kombëtarja U21 e teknikut Alban Bushi, madje në të njëjtën kohë duke tërhequr vemendjen edhe të trajnerit Silvinjo për hapësira në skuadrën e parë, ku me të gjitha gjasat do ta shikojmë shumë shpejt.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img