Monday, November 25, 2024

Mbape-Real Madrid, probleme që në fillim

Lexo

Sulmuesi duhet të marrë leje te klubi spanjoll për të luajtur në Olimpiadë

Mbape dhe Reali i Madridit duhet të vendosin nëse sulmuesi do të shkojë në Lojërat Olimpike, të cilat zhvillohen nga 24 korriku deri më 9 gusht në Paris. Franca i bën presion lojtarit të kombëtares, por do të jetë klubi madrilen që i jep rrogën lojtarit, ai që do të vendosë.

Mes dëshirës për të përfaqësuar vendin e tij dhe detyrimeve financiare. Ky është problemi i parë që duhet të zgjidhë Reali i Madridit dhe Mbappe, kur të finalizohet nënshkrimi i tyre. Pjesëmarrja e Mbapesë në Paris 2024, është një çështje shumë e rëndësishme në Francë. Një nga argumentet me të cilat, PSG i bëri presion yllit të vet, madje edhe vetë qeveria franceze për të rinovuar kontratën në 2022. E sipas thashethemeve, Mbappé është zgjedhur për të qenë mbajtësi i flamurit francez në ceremoninë e hapjes së Olimpiadës.

Sipas L’Equipe, plani i Francës ishte të sillte Mbappén, Griezmann dhe Varane në kombëtaren që do të luajë në Olimpiadë me synimin për të fituar medaljen e artë, aq të rëndësishme për vendin. Rregulloret lejojnë që në ekip të jenë tre futbollistë mbi 21 vjeç. Lojërat Olimpike, për futbollin, nuk janë nën mbikqyrjen e FIFA-s, por të IOC-së, prandaj nuk janë data zyrtare të organizmit më të lartë të futbollit botëror. Kjo nënkupton se janë klubet që vendosin nëse do të heqin dorë nga lojtarët e tyre apo jo, në rast të aktiviteteve të tjera.

Nga ana tjetër, në rast dëmtimi të rëndë nuk parashikohet asnjë lloj dëmshpërblimi, siç është rasti me datat zyrtare të FIFA-s. Vera do të jetë shumë e ngarkuar. Në fillim luhet kampionati evropian, 14 qershor-14 korrik, e më pas Lojërat Olimpike, ku ndeshjet e futbollit luhen nga 24 korriku-9 gusht, data këto që përkojnë me fazën përgatitore të Realit dhe fillimit të LaLigës.

Mbappe dhe Real Madrid kanë shumë për të menduar në këtë drejtim. Përtej mungesës pothuajse absolute të pushimit për Mbappén, Reali e ka shumë të rëndësishme praninë e francezit në turneun e Shteteve të Bashkuara, nga i cili klubi madrilen ka përfitime të mëdha financiare. Por ngarkesa për Mbapenë gjatë verës së ardhshme do të jetë shumë  e madhe.

Megjithatë fjalët e fundit të Mbappe-së në këtë drejtim janë inkurajuese për interesat e Realit të Madridit: “Të gjithë e dinë që gjithmonë kam ëndërruar të luaj në Lojërat Olimpike. Më pas nuk varet nga unë, ka shumë interesa të tjera në lojë”. E sigurtë është që kjo do të jetë një nga temat e para për të diskutuar mes Madridit dhe yllit francez pas nënshkrimit të tij.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img