”Mbijetesa” dhe “Final 4”, e mbyllin në barazim. Kështu, mund të konsiderohet dueli i luajtur pasditen e sotme në stadiumin “Adush Muça” të Ballshit, në mes Bylisit vendas që lufton për mbijetese dhe Dinamo City mysafire, në konkurencën me Partizanin për vendin e katër që i çon në “Final 4”, ndeshje kjo e vlefshme për javën e 31-të të Abissnet Superiore.
Barazim dëshpërues për të dyja skuadrat, sepse realisht, fitorja ishte ajo që i duheh, si Bylisit dhe po ashtu edhe Dinamos.
Sfida nisi mirë për vendasit, që shënuan në minutën e 9-të falë mesfushorit Camara i cili goditi saktë me kokë një top të shërbyer në zonë dhe mposhtur portierin e miqve, duke i dhënë kështu epërsinë të tijëve.
Minutat e fundit të pjesës së parë u mbyllën me një karton të kuq të zëvendëstrajnerit Glen Daja i cili u përjashtua nga kryesori Barjamaj pas protestave, duke e ndjekur pjesën e dytë nga tribunat.
Në fraksionin e dytë, Dinamo shtoi përpjekjet për të barazuar sfidën dhe goli erdhi vetëm në minutën e 82-të falë mbrojtësit portugez Teixeira.
Kështu, të dyja skuadrat ndajnë një pikë në stadiumin “Adush Muçaj”, rezultat që s’ngop asnjërën për objektivat që kanë në këtë fazë të mbetur të kampionatit. Me këtë barazim, Bylis mbetet në vendin e 9-të me 31 pikë, po aq sa Vora e një vendi më sipër, duke mbajtur ende të hapur garën për zonën “play-out”.
Në anën tjetër, Dinamo parakalon së paku momentalisht Partizanin duke shkuar në vendin e 4-të me pikë të barabarta, teksa këta të fundit luajnë në mbrëmje në transfertë përballë Elbasanit, duel ky që mbyll që përmbyllë dhe llogaritë e kësaj jave.


