Elbasani ka mundur 3-0 Partizanin, në sfidën që mbylli javën e 31-të të kampionatit Abissnet Superiore në ekranin e Radio Televizionit Shqiptar. Gjithçka është vendosur në pjesën e dytë. Ze Gomesh zhbllokon ndeshjen nga pika e bardhë e penalltisë, ndërsa në minutat e fundit të takimit shënojnë Tsague dhe Kasa.
Verdheblutë tregojnë forcën përballë një rivali direkt, ndonëse luajnë në inferioritet numerik për 70 minuta, pasi kapiteni Musta u ndëshkua me karton të kuq. Me këtë fitore Eklbasani ngjitet në vendin e dytë në klasifikim në kuotën e 56 pikëve, ndërsa Partizani zbret në vendin e 5-të (në kuotë të barabartë pikësh me Dinamon) dhe tashmë rrezikon pjesëmarrjen në Final 4.
Sfida e transmetuar në RTSH Sport ka qenë e bukur, e luftuar dhe plot emocione. Ndeshja nis me ritëm me dy skuadrat që duan të gjejnë rrugën e rrjetës. Në minutën e 20-të episodi që ndryshoi rrjedhën e ndeshjes, Musta ndëshkohet me karton të kuq dhe Elbasani mbetet me një lojtar më pak në fushë.
Partizani nuk arrin që të shfrytëzojë superioritetin numerik. Në pjesën e dytë Elbasani fiton një penallti. Ze Gomesh gabon në gjuajtjen e parë, por penalltia përsëritet dhe këtë herë sulmuesi shënon. Miqtë mundohen të reagojnë dhe hidhen në sulm në kërkim të golit të barazimit. Elbasani mbrohet mirë, reziston dhe ndëshkon kundërshtarin në kundërsulm, fillimisht me Tsague dhe më pas me Kasën, që shënon golin e tretë.
Elbasani fiton 3-0 dhe merr vendin e dytë në renditje, ndërsa Partizani zbret në vendin e pestë në klasifikim.


