Kombëtarja shqiptare U-18 do të zhvillojë dy miqësore me Malin e Zi U-18 gjatë muajit nëntor. Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se është arritur marrëveshja mes FSHF dhe Federatës Malazeze të Futbollit që këto dy ndeshje të luhen në datat 8 dhe 10 nëntor.
Testi i parë i skuadrës së drejtuar nga trajneri Ardi Behari do të zhvillohet në stadiumin “Reshit Rusi” në Shkodër dhe do të nisë në ora 12:00, ndërsa miqësorja e dytë do të luhet në kompleksin e Federatës Malazeze në Podgoricë dy ditë më pas duke nisur nga ora 13:00.
Tekniku Behari do të zbardhë edhe listën e lojtarëve që do të grumbullohen për këto dy ndeshje ndërsa synimi është testimi i lojtarëve të vitlindjes 2005, të cilët janë brezi që do të përgatiten për të përfaqësuar Shqipërinë U-19 në kompeticionet zyrtare të vitit të ardhshëm.
Grumbullimi do të nisë ditën e shtunë dhe ekipi do të përgatitet në Durrës për të udhëtuar drejt Shkodrës për ndeshjen e parë të datës 8 nëntor. Në këto dy ndeshje pritet të marrin pjesë edhe lojtarë që aktivizohen me klube të huaja, një pjesë e të cilëve testohen për herë të parë me këtë grup-moshë, ndërkohë që do të ketë edhe lojtarë të evidentuar të kampionatit shqiptar.
Këto miqësore përbëjnë një mundësi shumë të mirë për të vëzhguar nga afër lojtarët e talentuar të kësaj grup-moshe dhe për të përgatitur boshtin e ekipit Kombëtar në sezonin e radhës.