Merkato-Ersin Hakaj, mes Vllaznisë dhe Italisë. Ofertën nga Vllaznia e ka marrë, por një pistë serioze nga Italia e tundon mëngjërashin e prapavijës

Ersin Hakaj është një nga futbollistët më cilësorë të dalë nga Akademia e Futbollit Vllaznia, karriera e të cilit ka pasur një ecuri mjaft pozitive, jo vetëm me kuqeblutë ku mbajti shiritin e kapitenit, por edhe me ekipe të tjera, si Partizani, Teuta, apo edhe Elbasani, me të cilin luajti sezonin e kaluar futbollistik, përfshirtë edhe një përvojë pozitive në kampionatin turk.

Duke qënë se kontrata me verdheblutë i ka përfunduar, Hakaj, si një lojtar i lirë, është në kërkim të një skuadre tjetër. Dhe, në këtë aspekt, skuadrat që kërkojnë shërbimet e tij nuk mungojnë, jo vetëm në Superioren shqiptare, por edhe jashtë vendit.

Pista e parë që në fakt, Hakaj i është përgjigjur pozitivisht është ajo e Vllaznisë, ku nga sa mësohet, ai ka zhvilluar një takim kokë më kokë me dyshen drejtuese të stafit kuqeblu, Edi Martini-Vioresin Sinani.

Por, nga ana tjetër, sidomos jashtë vendit, është tjetër pistë shumë serioze, ku mes disa varianteve, ajo e Italisë peshon më shumë. Nga sa mësohet, shumë i interesuar për të është klubi i Udinezes, ku stafi teknik italian, pasi ka studiuar në imtësi disa nga videot e fundit të Hakajt në Superioren shqiptare, e parapëlqen jashtë mase një tip futbollisti të tillë, i cili krahas sigurisë në të majtën e prapavijës, shfaqet jashtë mase aktiv në mbështetje të sulmit, ku kroset dhe asiset e tija përfekte nga fundorja, shumë herë janë shoqëruar me gola nga kolegët e tij.

Tashmë, mbetet për t’u parë, se ku do të jetë e ardhmja e Ersin Hakajt, tek Vllaznia, Udineze, apo dikund tjetër. E hëna e 2 qershorit kur kuqeblutë kanë paralajmëruar fillimin e përgatitjeve për sezonin e ri sportiv, po vjen. Ndaj, mbetet për t’u parë, nëse do të jetë apo jo Hakaj, mes kontigjentit që Martini do të ketë në dispozicion për seancën e parë stërvitore, apo dyzimi i tij do të vijojë edhe për disa ditë të tjera.

Gaspër MARKU

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu