Ekipi i Vllaznisë në futboll për femra e ka marrë shumë seriozisht. Nën drejtimin e trajnerëve Nikolin Leka dhe Fabiol Rexhepi, skuadra vijon përgatitjet europiane me nga dy seanca stërvitore në ditë.
Ashtu siç kishte paralajmëruar, presidenti i Klubit të Futbollit Femra Vllaznia, Lazër Matija ka bërë realitet përforcimin e skuadrës me emra cilësor, futbolliste me karriere të pasur sportive nga Amerika, Franca, Kosova si dhe nga kampionati shqiptar, siç është rasti i portjeres së kombëtares së Shqipërisë, Antigona Hyska, e cila vjen nga ekipi i Apolonisë së Fierit.
Por, goditja kryesore e kësaj merkatoje verore tek Vllaznia e futbollit femra ka të bëjë me rikthimin e Megi Doçit në radhët e ekipit kuqeblu. Pas një kampionati shumë të suksesshëm në futbollin turk pranë ekipit të Gallatasarajt, me këmbënguljen e presidentit Matija, është arritur marrëveshja me klubin turk që Megi Doçi të luajë për Vllazninë e Shkodrës në kompeticionin e Ligës së Kampioneve të Europës në futboll për femra.
Një marrëveshje, e cila, nëse skuadra kuqeblu kualifikohet në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve, edhe mund të zgjasë më shumë për të vijuar aktivizimin me Vllazninë edhe në Superligën shqiptare.
Prej dy ditësh, Megi Doçi i është bashkuar skuadrës shkodrane në stërvitjet europiane duke blinduar, nëse mund ta themi, kështu formacionin kuqeblu për ndeshjet eleminatore të 4 shtatorit, ku Vllaznia bën pjesë në grupin e dytë së bashku me ekipet kampione të Gjeorgjisë, Austrisë dhe Azerbajxhanit.
Krahas përgatitjeve intensive, Vllaznia do të nisë që prej kësaj të diele edhe testimet në ndeshje miqësore, ku e para do të jetë ndaj Buduçnostit të Podgoricës, takim që do të luhet në stadiumin “Loro Boriçi” duke nisur nga ora 17:00.
Miqësorja e dytë është planifikuar me ekipin e Mitrovicës, kampion i Kosovës, ndeshje e cila pritet të luhet mesjavën e ardhshme në stadiumin e Prizrenit, ndërkohë në mungesë të alternativave për ekipe kundërshtare, miqësorja e tretë është menduar të luhet përballë ekipit të meshkujve, të Akademisë Vllaznia U17.