Ka 27 vite që është pjesë e sportit shkodran. Fillimisht si futbollist dhe kapiten i Ades së Velipojës, më pas trajner, por edhe bashkëpresident me kolegun e tij Afred Pjetri në drejtimin e KF Ada të kategorisë së parë, ndërkohë që në vijim preferoi të formonte ekipin e futbollit të femrave po në Velipojë ku edhe mori titujt e parë kampionë kombëtar. Ndërsa, në vijim, thuajse në një dekade është në cilësinë e presidentit të Klubit të Futbollit të femrave Vllaznia, me të cilin është kampion absolut në kampionatin shqiptar, ndërkohë që konkuron me dinjitet edhe në arenen ndërkombëtare, madje sezonin e kaluar duke u renditur mes 32 skuadrave më të mira të Europës. Aktualisht, edhe në këtë sezon është përsëri pjesë e Kupave të Europës, kur vetem pak ditë më parë eleminoi në turin e parë kampionen e Turqisë ALG Spor, ndërsa me 19 nëntor luan turin e dytë me kampionen e Bjellorusisë, Minsk. Ndër të tjera, ajo që e ka nxitur komisionin përkatës të vlerësimit të figurave pranë SK Vllaznia për të nderuar zotin Matija, janë pikërisht sukseset e arritura me ekipin e futbollit të femrave.
Mark Kroqi
“Sikur të mos kishte qënë prezenca në krye të këtij ekipi të presidentit Lazër Matija, ne nuk do të kishim qënë në këto momente suksesi të Vllaznisë së futbollit të femrave. Një person ky që kam pasur fatin ta njoh dhe të bashkëpunoj prej së afërmi me të në rrugën e sukseseve kuqeblu. Dhe, jo vetem Lazri, por edhe familja e tij është e përkushtuar në arritjen e këtyre rezultateve. Këto janë një familje prej pesë vetëve, por në fakt janë një familje prej 30 vetëve, pasi janë të përfshira edhe vajzat futbolliste në këtë familje të madhe të sportit”, tha ndër të tjera drejtori i Sport Klub Vllaznia Mark Kroqi gjatë ceremonisë së zhvilluar në stadiumin “Loro Boriçi”.
Vlerësimi nga ana e SK Vllaznisë e ka emocionuar jo pak pesidentin Matija, i cili gjatë fjalës së tij falenderoi drejtuesit e klubit kuqeblu për nderimin që iu bë. Por, ndërkohë u shpreh se në suksesin që ka arritur ka pjesen e tij kolektivi i ekipit që ai drejton prej shumë vitesh, ndaj edhe ftoi futbollisten titullare Albina Rrahmani ta marrë në dorëzim këtë çertikatë.
Lazër Matija
“Normalisht që sporti ka sakrifica brenda, pa sakrifica nuk mund të shkosh tek suksesi dhe rezultati. Ky është një vlerësim që më bëhet mua. Më vjen mirë jashtëzakonisht që jepet në një moment të veçantë për ne, dhe në veçanti për ekipin, në një moment që ai ka një përformancë jashtëzakonisht të mirë në aktivitetet ndërkombëtare. Ky është një vlerësim për mua realisht me mbishkrimin në dekorim, por ky vlerësim mendoj se i takon këtyre vajzave, sepse këto kanë kontribu më shumë se asnjë tjetër. Ndaj, ftoj njërën nga vajzat, Albina Rrahmanin me një përvojë shumë të gjatë në futbollin e femrave, që në emer të ekipit të marrë në dorëzim këtë çertifikatë mirënjohje, sepse ky titull është i tyre faktikisht.”, u shprehë njëshi i presidences kuqeblu.
Për Albina Rrahmanin, shqiptaren e Kosovës që kontribuon prej vitesh për Vllazninë, rasti i presidenti Matija është një shembull më vete.
Albina Rrahmani
“Ndjehemi shumë mirë dhe shumë krenare që kemi patur fatin të punojmë gjatë kohës që president dhe udhëheqës i klubit të femrave është zoti Lazër Matija, për vete faktin, punën dhe gjithçka që ka dhënë, jo vetem për ekipin e Vllaznisë por edhe për gjithë futbollin e femrave në Shqipëri. Shpresoj që edhe njerëz të tjerë, si dhe ekipe të tjera, të ndjekin këtë shembull dhe të kontribuojnë në këtë mënyrë në futbollin e femrave.”, u shpreh Rrahmani, që krahas Vllaznisë mban edhe shiritin e kapitenes së kombëtares së Shqipërisë në futboll për femra.
Familja
Dhe, në fund, por shumë e rëndësishme, diçka edhe për familjen “Matija”. Drejtori i SK Vllaznia, Mark Kroqi e preku me të drejtë kontributin e familjes në mbarëvajtjen dhe ecurinë pozitive të Vllaznisë në futboll për femra. Për t’u theksuar është se në krah të presidentit Lazër Matija është e gjithë familja, duke filluar nga bashkëshortja, e cila krahas qëndrimit gjatë të gjithë kohës në shoqërinë e vajzave të skuadrës, sidomos në udhëtimet, brenda dhe jashtë vendit, e ka shndërruar banesen e saj në një minihotel duke strehuar një pjesë të mirë të futbollisteve jabanxhinj. Ndërkohë, ato që kontribuojnë direkt në stafin e skuadrës kuqeblu janë edhe vajza Matilda, jo shumë larg futbolliste e kësaj skuadre, por tashmë si kordinatore e marrëdhënieve me jashtë dhe menaxhere e klubit të femrave, por edhe Oliveri, edhe ky një ish futbollist, por që tashmë, pas licensimit në kursin e organizuar nga UEFA-FSHF për vidioanalist, kontribuon në këtë sektor për skuadren kuqeblu të femrave në futboll.
Gaspër MARKU