Thursday, November 28, 2024

Mundje-Botërori i Bukureshtit. Shqipëria, me dy medalje, e Artë dhe Argjendtë

Lexo

Mundja shqiptare ka bërë një përfaqësim tejet të mirë, kur në Kampionatin Europian të zhvilluar në Bukuresht të Romanisë, arriti të fitojë dy medalje, një të Artë dhe një të Argjendtë.

E arta për Kombëtaren e Shqipërisë është fituar nga Islam Dudaev duke u shpallur Kampion Europe në mundjen e lirë në peshën deri në 65 kilogram. Dudaev, është Kampion Europe për herë të parë, ndërsa më parë ishte medalist i bronztë dy vjet më parë po në Bukuresht, ku po zhvillohet aktualisht Kampionati Europian. Në finale ka triumfuar 2-1 ndaj rusit Razidov, ndërsa kjo ishte fitorja e tij e pestë në pesë ndeshje në këtë Europian. Një sukses i merituar që e çon dhe në normën e kualifikimit për në Lojërat Olimpike “Paris 2024”.

Gjatë karrierës së tij, që kur ka ardhur për Shqipërinë, rusi, ishte medalist i bronztë në Lojërat Mesdhetare në Oran më 2022. Më pas medalist i bronztë po më 2022 në Krasnovarsk, ndërsa i artë dhe i bronztë do të dilte në turneun “Dan Kolov8Nikola Petrov”. Të artat e tij janë dhe në turneun “Muhamet Malo”, kurse kjo medalje e artë në Bukuresht ishte arritja më e madhe për të dhe për mundjen shqiptare, sepse tanimë është me dy norma kualifikimi në “Paris 2024”.

Ndërkohë, medalja e argjendtë dhe nënkampion Europe në mundjen e lirë në peshën deri në 61 kilogram, është fituar nga Zelimkan Abakarov. Përtej pritshmërive, ndërsa deri në raundin gjysmëfinal ishte absolut, në finalen e së dielës pasdite nuk ka mundur ta përballojë rusin Magomedov. Në një ndeshje disi të ekuilibruar ka fituar në fund Magomedov, 7-4.

Kjo është hera e dytë që Abakarov del nënkampion Europe, teksa një gjë të tillë e ka bërë dhe një vit më parë në Zagreb. Kampion e medalist i bronztë në Botë, pa harruar që ishte i artë në Lojërat Mesdhetare në Oran dhe i argjendtë në Lojërat e Solidaritetit Islamik në Konia më 2022, Abakarov është gjithnjë në podium dhe një medalje e sigurtë për mundjen shqiptare.

I suksesshëm në turnetë ndërkombëtar, ndërsa është i pari që ka siguruar dhe normën e kualifikimit për në Lojërat Olimpike “Paris 2024”. Tanimë pritet të jetë i suksesshëm dhe në turnetë kualifikues për në Lojërat Olimpike në Azerbajxhan dhe Turqi. Gjithesi një e artë dhe një e argjendtë dhe Europiani rumun për mundjen shqiptare ishte mision i përmbushur.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img