Wednesday, December 11, 2024

(Video) Futboll Femra-Vllaznia e nis me fitore fazën e dytë, mund rivalin Partizani, 3-0. Dopietë e blerjes më të re, Fortesa Berisha

Lexo

Vllaznia-Partizani  3-0(Shënuese: Fortesa Berisha 17’, 72’ Ezmeralda Franja 42’

Ndeshja më e rëndësishme e javës së dhjetë të Superiores së futbollit shqiptar të femrave, ka qënë ajo e luajtur pasditen e sotme në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, ku Vllaznia vendase, kampione në fuqi priti Partizanin, skuadra finalist e Kupës së Shqipërisë dhe një nga pretendentët për fitimin e titullit kampion.

Ishte kjo arsyeja që krahas tifozërisë shkodrane, takimin në fjalë e ndoqi nga afër në tribunën e “Loro Boriçit” edhe trajneri i ekipit kombëtar, Armir Grima, ku krahas nëntë futbollisteve kuqeblu, në listën e grumbullimit për Turneun e Maltës ka edhe një futbolliste të Partizanit.

Nisur nga situata paksa konfuze që kaloi KFF Vllaznia, duke nisur që nga dhuna e ushtruar në ndeshjen Tirana-Vllaznia, pakënaqësitë e stafit kuqeblu ndaj vendimeve të Komisionit të Disiplinës dhe Etikes, deri tek masa ekstreme e humbjes në tavolinë të ndeshjes së kthimit të Kupës së Shqipërisë, Gramshi-Vllaznia për mosparaqitje, por edhe largimi i golashënueses së njohur Megi Doçi në Turqi, krijuan një tymnajë në opinionin publik, rreth një dobësie të skuadrës kuqeblu për pjesën e dytë të kampionatit.

Por, kampionia, mbetet kampione, gjë të cilën Vllaznia e tregoi edhe sot në përballjen ndaj Partizanit, teksa e mundën atë me rezultatin 3 me 0. Skuadra e drejtuar nga trajneri Nikolin Leka dhe kolegu i tij Fabiol Rexhepi, e nisi me gol ndeshje, kur në minutën e 17-të, është blerja më e re e presidentit Lazër Matija, Fortesa Berisha e ardhur nga skuadra kampione e Kosovës, Malisheva. Kjo futbolliste do të ishte autore edhe të një goli tjetër në pjesën e dytë, ku së bashku me golin e kapitenes Ezmeralda Franja në fundin e pjesës së parë, rezultatin përfundimtar është, 3 me 0 për Vllazninë.

Fitore kjo, e cila tregon qartazi, që Vllaznia, jo vetëm nuk ka probleme organizative, por pritet të jetë edhe më e fortë se në fazën e parë të kampionatit, duke pasur një objektiv të vetëm, fitimin e titullit të 11-të kampion radhazi.

(Video) Pamje nga ndeshja, Vllaznia-Partizani, 3-0. Superliga e futbollit femra, java e 10-të. Stadiumi “Loro Boriçi” Shkodër

 Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img