Vllaznia – Kastrioti 0-0
E diel, 24 janar 2021, ora 16.45, stadium “Loro Boriçi” Shkodër
Vllaznia: Zogoviç, Gurishta, Adili, Imami, Isaevski, Krymi(68’ Kruja), Marku, Jonuzi(68’Da Silva), Imeri(84’ Kalaja), Hoxhaj, Dilaver. Trajner: Thomas Brdariç
Kastrioti: Hidi, Neziri, Shkalla, Zhivanaj, Rami(89’ Daci), Nuriu(67’ Dealilaj), Mehmeti, Moraes(89’ Çela), Prodani, Rezi(72’ Vokrri), Devid. Trajner: Ramazan Ndreu
Gjyqtarë: Arbitër kryesor: Kridenc Meta(Tiranë), Asistent i parë: Arbër Zalla(Tiranë), Asistent i dytë: Nuri Rrapaj(Patos), Arbitër i katërt: Olsid Ferataj(Patos)
Delegat: Petrit Brahja(Tiranë) / Vëzhgues: Besnik Kaimi(Tiranë)
Karton i kuq: Neziri 94’
Pas një seri ndeshjesh pozitive, Vllaznia ndalet me një barazim në shtëpi përballë Kastriotit të Krujës. Një ndeshje që askush nuk e mendonte se mund të përfundonte me këtë rezultat, aq më tepër kur në fazën e parë, me 9 nëntor të vitit të kaluar, kuqeblutë fituan pastër në Krujë me rezultatin 0 me 3. Por, mbrëmjen e sotme, në sfidën e luajtur në stadiumin “Loro Boriçi” të qytetit të Shkodrës për javën e 16-të të Superiores, situata ishte krejt tjetër. Në fushë u pa një Vllazni kërkuese dhe me dëshirë për ta fituar ndeshjen, por mënyra se si u shprehën futbollistët kuqeblu në fushën e lojës nuk ishin në nivelin e kërkuar. Ndërsa, sa i përket ekipit kundërshtar, ndonëse me disa mungesa titullarësh me peshë në formacion, Kastrioti arriti të përballojë presionin e kuqebluve, madje, duke pasur guxim që sidomos në pjesën e parë të sulmonte rrezikshëm në portën vendase.
Pjesa e parë
Ndonëse gjatë të gjithë javës, qyteti verior ka qënë nën trysninë e reshjeve të dendura të shiut, të cilat vazhduan të bien edhe gjatë të gjithë ndeshjes, terreni në impiantin sportiv të Shkodrës ka qënë në cilësinë e duhur duke i dhënë mundësi të dyja skuadrave të shpalosin më të mirën e tyre në fushën e lojës. Kuqeblutë, të cilët me ecurinë fantastike që kanë paraqitur deri më tani konsideroheshin si favoritë kryesor për fitimin e kësaj ndeshje, e nisin mjaft mirë duke krijuar edha rastet e para, sidomos ato të Imerit dhe Dilaver. Por, nga ana tjetër, siç që u pa edhe në fushës e lojës, të paktën për 45 minutat e para, skuadra kundërshtare u tregua e vendosur për të mos lejuar prekjen e rrjetës. Madje, për hirë të së vertetës, krutanët në jo pak momente të kësaj pjese janë shfaqur shumë të rrezikshëm në portën e Vllaznisë, dhe vetem gatishmëria e portjerit malazes që sot duhet thënë se është në një ditë mjaft të mirë, ka bërë rrjeta e tij të mos prekej. Gjithsesi, duhet thënë se kuqeblutë e drejtuar nga Brdariç patën më tepër epërsi në fushën e lojës, gjë që u konstatua edhe me qarkullimin e dendur të topit në gjysëmfushën kundërshtare, por ajo që mungonte kryesisht ishtetë qartësia në veprimet finale brenda zonës së rreptësisë krutane.
Pjesa e dytë
45 minutat e dyta priteshin të ishin një fortunë e vertetë nga ana e Vllaznisë në kërkim të golit të avantazhit, por sa më shumë kalonin minutat aq më tepër shtohej ankthi, nervozizmi dhe konfuzioni për ta realizuar një gjë të tillë. I pakënaqur nga ajo çfar po bënte skuadra e tij në fushën e lojës, Brdariç bën lëvizje në formacion duke aktivizuar Da Silvën, Krujën dhë në fund edhe Kalanë, por edhe këto nuk është se ndikuan në ndryshimin e rezultatit. Në fund të ndeshjes, në minutën e 94-tërt ka edhe një karton të kuq për Nezirin duke e lënë Kastriotin me një futbollist më pak në fushën e lojës, por koha e mbetur është e papërfishme për Vllazninë të përfitojë nga epërsia numerike në fushën e lojës. Kështu, pasi është konsumuar edhe minuta e gjashtë e shtesës, gjyqtari kryesor i ndeshjes, Kridenc Meta vërshëllen për mbylljen e të gjithë takimit duke lënë në fuqi shifrat e barabara 0 me 0. Barazim që ndalon për momentin Vllazninë në rrugën e fitimit të tre pikëshave duke i dhënë mundësi rivalëve që e ndjekin nga pas për të përfituar në shkurtimin e differences me vendin e parë. Ndërkohë, ky barazim dhe kjo pikë e marrë në Shkodër nga ana e Kastriotit konsiderohet me mjaft rëndësi edhe për faktin se u arrit përballë skuadrës më të mirë të kampionatit, por edhe për atë se në përbërjen e saj kishte shumë mungesa të rëndësishme titullarësh me peshë të formacionit.
Gaspër MARKU