Friday, April 26, 2024

Brdariç, pas barazimit me Kastriotin: Sot ka qënë një ditë e vështirë!

Lexo

Në fakt pritej të ishte një ditë tjetër kjo e sotmja për gjermanin Brdariç, pasi në rast fitoreje ndaj Kastriotit gjithçka do të shkonte në sinkron me festimet e ditëlindjes së tij të 46-të. Dhe, në një farë mënyrë, në rast se rezultati do të ishte në favor të Vllaznisë, fitorja do të shkonte si dedikim për të. Por, barazimi 0-0 në Vllaznia-Kastrioti, ia prishi në një farë mënyre festën gjermanit. Megjithatë, edhe pse nuk shkoi mirë, për njëshin e pankinës kuqeblu, gjërat do të përmirësohen rrugës për të marrë fitore të tjera. “Në shtatë ditë kemi bërë 3 ndeshje, megjithatë kemi marrë 7 pikë në 3 ndeshje. Sot ka qënë një ditë e vështirë, ato që kanë luajtur futboll e kuptojnë, ato që nuk kanë luajtur nuk e kuptojnë se sa e vështirë ishte ndeshja e sotme! Sot jemi të kënaqur me një pikë që morëm, megjithatë në të ardhmen duhet të bashkëpunojmë dhe të marrim më të mirën për të fituar. Një pikë kundra Kastriotit nuk është shumë dhe në fakt nuk e kemi pritur në këtë formë. Megjithatë, është si ajo që kur i shikon frutat pak lart dhe nuk mundesh t’i mbërrish, por sidoqoftë do të gjejmë kohë që të përmirësohemi. Nuk jemi ekip klasi europian, duhet të punojmë, duhet të përfitojmë nga java në javë, nuk është e thënë të fitojmë gjithmonë. Kemi patur shanse më tepër, dominuam më tepër, por nuk e gjetëm golin. Duhet ta pranojmë rezultatin dhe të jemi me këmbë në tokë, të mësojmë dhe të kemi parasysh ndeshjet e tjera”, tha ndër të tjera gjermani i pankinës kuqeblu në prononcimin e dhënë me gazetarët shkodranë pas ndeshjes.

Për teknikun kuqeblu, Brdariç, në rezultatin e ndeshjes kishte ndikim edhe terreni dhe shiu i rënë gjatë të gjithë ndeshjes, duke përfshirë edhe gjykimin që sipas tij ka pasur problem gjatë ndeshjes. “Sidoqoftë jemi përsëri 7 pikë para, duhet të luajmë më mirën të përmirësojmë gabimet, unë me këtë lojtarë ka kohë që po luaj dhe jam i kënaqur dhe besoj tek to. Megjithatë, ne jemi realist që kjo është Vllaznia dhe këto janë mundësitë tona”, përfundoi Brdariç.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img