Bota e futbollit është në zi. Pronari dhe presidenti i Fiorentina-s, Rocco Commisso, ka ndërruar jetë në moshën 76-vjeçare pasi humbi betejen me një sëmundje të rëndë.
“Me pikëllim dhe trishtim të madh, familja Commisso, përfshirë gruan e tij Catherine, fëmijët e tij Giuseppe dhe Marisa, dhe motrat e tij Italia dhe Raffaelina, njoftojnë ndarjen nga jeta të Presidentit Rocco B. Commisso. Pas një periudhe të gjatë trajtimi, Presidenti ynë i dashur na ka lënë dhe sot të gjithë ne vajtojmë ndarjen e tij nga jeta”, shkruhej në faqen e klubit “Vjollcë”.
Commisso ishte mjaft i lidhur me botën e futbollit. Ai bleu Fiorentinën në vitin 2019 dhe nën menaxhimin e tij, klubi arriti në dy finale të Ligës së Konferencës dhe një finale të Kupës së Italisë. Në vitin 2017, ai u bë gjithashtu president i New York Cosmos, një klub në divizionin e dytë të Amerikës së Veriut.

Ngushëllimi i Presidentit të FSHF-së, Armand Duka:
Me hidhërim të thellë mësova lajmin për ndarjen nga jeta të Rocco Commisso, një figure të respektuar dhe një kontribuesi të jashtëzakonshëm në futbollin europian.
Integriteti, vizioni dhe energjia e tij në drejtimin e Fiorentinës lanë gjurmë të qarta dhe do të kujtohen gjatë.
I shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta familjes së tij dhe gjithë komunitetit të Fiorentinës.



