Vllaznia 85 – 79 Teuta
(26-17, 9-23, 30-20, 20-19)
E shtunë 20 mars 2021, ora 18.00, pallati i sportit “Qazim Dervishi” i qytetit të Shkodrës
Vllaznia: Davis Stanley, Dylan Jurod Smith, Damian Bekteshi, Montrell Malik Dixon, Antonio Shabani
Jeron Quin Cooper, Lorenzo Alberto Martinez, Herion Faslija, Redi Rakaj (C), Anand Singh Hundal. Trajner Matheë Jones
Teuta: Zhabina, Panajot Proj, Kristi Gorea (C) Hidajet Elezi, Marko Miranovic , Pelizer, Ilmi Pasha
Richardson, Fjorentin Birçaj, Mirald Dinoshi, Julien Dimitri Ducree. Trajner: Nikola Milatoviç
Gjyqtarë: Ervin KOÇI, Gilbert Hoxha, Ani Balliu
Një ndeshje e çmendur në Shkodër. Kështu e kanë vlerësuar specialistët e basketbollit, ballafaqimin, Vllaznia-Teuta, takim ky i vlefshëm për javën e gjashtë të Kampionatit Kombëtar të Superligës në basketboll për meshkuj. Dy skuadra që rivalizojnë për titullin kampion, ku secila kishte objektiv fitoren.
Pjesa e parë
Vllaznia e mbushur me amerikanë në fushën e lojës, por edhe në pankinë me trajnerin Mathew Jones e nis mjaft mirë ndeshjen teksa kryeson me 9 pikë diferencë në mbyllje të periodës së parë me shifrat 26-17.
Dhjetë minutat e dyta të lojës flasin për ekipin mik, Teuta, i cili përmbys disavantazhin duke fituar periodën e dytë me shifrat 9 me 23. Një diferencë kjo e madhe për miqtë dhe aspak e pranueshme për skuadrën vendase kuqeblu, e cila humb jo vetem periodën e dytë por edhe pjesën e parë me rezultatin 35-40.
Pjesa e dytë
Pushimi mes dy pjesëve dhe këshillat e marra nga trajneri Mathew Jones duket se kanë rezultuar pozitiv për kuqeblutë, të cilët me t’u kthyer në fushën e lojës janë tjetërsuar në të gjitha drejtimet. Të saktë në qarkullimin e topit, mbrojtje e kujdesshme ritëm i lartë në realizimin e aksioneve drejt koshit kundërshtar, shoqëruar edhe me saktësi dhe preçizion në gjuajtjet nga distanca për tre pikë bëjnë që për rreth 7 minuta të jenë ato zotër të fushës. 17 pikë pa pësuar asnjë në koshin e saj e bëjnë Vllazninë të frikshme. Kështu në përfundim të periodës së tretë duke e fituar atë me shifrat 30 me 20 bëjnë që avantazhi përgjithshëm të kthehet në favor të kuqebluve me rezultatin 66-60.
Perioda e katërt shoqërohet me një rivalitet më të madh, dhe kjo për meritë të durrsakëve që kanë disa minuta të shkëlqyera aq sa i ofrohen ndjeshëm Vllaznisë, por kuqeblutë nuk lejojnë të bëhet gabimi i periodes së dytë. Janë vendasit që në minutat e fundit marrin përsëri frenat e lojës duke e fituar këtë periodë me shifrat 20 me 19 dhe të gjithë ndeshjen me rezultatin e përgjithëshëm, 85-79.
Më shumë se fitorja, për t’u vlerësuar është loja e basketbollistëve shkodranë, që tashmë duket se kanë marrë formën e duhur sportive për të qënë të denjë në pretendimet e fitimit të trofeut të titullit kampion.
Fitorja shpërblehet me premio
“Bravo djemve kuqeblu për shpirtin e lartë të garës dhe fitoren e arritur,, e meritojn plotësisht premiun e vendosur nga presidenti Alban Xhaferi si një motivim i rëndësishëm në vrapimin drejt 10”, shkruhet në faqen zyrtare të KB Vllaznia duke bërë të ditur se përpos përgëzimeve dhe falenderimeve nga ana e drejtuesve, fitorja e kuqebluve ndaj Teutës është shpërblyer edhe me një premio të majme nga ana e presidenti të klubit, Alban Xhaferi.
Gaspër MARKU