Futbolli i moshave, kategoria Superiore U-17 dhe U-19 e fillon vitin 2021 me aktivitetin e Kupës së Shqipërisë. Aktivitet në të cilin, përpos dy ekipeve të Akademisë Vllaznia U-17 dhe U-19 konkurojnë edhe ekipet e tjera të moshave të futbollit shkodran, si Shkodra, AAS, FC Djelmnia Shkodrane 2017, FC Scutari.
Në Turin e parë për U-17, ndeshjet e të cilit luhen të shtunën, Vllaznia pret në orën 10:00 Kinostudion në fushën sportive “Reshit Rusi”, ndërkohë që FC Djelmnia Shkodrane 2017 luan në transfertë me FC Internacional Tirana duke filluar nga ora 12:00. Po për U-17 luan edhe KF Shkodra që pret në fushën sportive të Barbullushit Erzenin, por me ndryshim sepse kjo ndeshje luhet të dielen në orën 10:00. Skuadra tjetër shkodrane, FC Scutari në këtë tur të parë luan në transfertë me ekipin lezhjan, Brians.
Duke kaluar tek 19 vjeçarët, Turi i parë i Kupës së Shqipërisë ka ofruar një short të lehtë për skuadrën kampione të dimrit, Vllazninë, e cila pret në “Reshit Rusi”, Turbinë, takim që luhet të shtunën në orën 12:00. Po në 12:00, por në fushën sportive të Barbullushit, Shkodra pret Durrësin. Ndërkohë, dy ekipet e tjera të Shkodrës, FC Djelmnia Shkodrane 2017 dhe Akademia AAS, ndeshjet e turit të parë të kupës së Shqipërisë i luajnë në transfertë, respektivisht përballë Dinamos dhe Teutës së Durrësit.