Seanca stërvitore e zhvilluar paraditen e sotme në fushën e stadiumit “Reshit Rusi” ka qënë e fundit për skuadrën kuqeblu në prag të ndeshjes me Kastriotin e Krujës. Si zakonisht, një ditë përpara ndeshjes, trajneri Mirel Josa ka dalë në konferencë shtyp. Gjatë komunikimit me gazetarët shkodranë, tekniku kuqeblu ka folur për pragndeshjen me krutanët, analizën që ai ka bërë me skuadrën pas humbjen me Egnatian dhe masat që janë marrë për të kaluar me sukses ballafaqimin me Kastriotin, objektivat e kuqebluve për këtë sezon, por edhe për zërat e medias kosovare për një kalim të mundshëm të Josës në drejtimin e Dritës së Gjilanit.
“Dje bëmë një analizë dhe duhet të them që duhet të kemi më shumë personalitet në fushë. Unë nuk llogaris vetëm lojtarët të cilët fillojnë ndeshjen. Llogaris dhe ata që futen në fushë. Nuk dua të kapem te momenti i penalltisë, sepse tani mund të flisnim edhe ndryshe. Kam këtë kontingjent lojtarësh këto momente dhe mund të them që ata me njëri-tjetrin janë të lidhur mirë për sa i përket anës morale të tyre. Këta dinë si ta ngrenë anën morale të skuadrës dhe më takon mua pastaj që të vendos për lojtarët që të kem në gjendjen më të mirë fizike për të luajtur.
Më intereson shumë problemi se si do të zhvillohet ndeshja e nesërme, duke pasur parasysh moralin e skuadrës dhe impenjimin e tyre. Them kështu sepse janë ndeshje kampionati dhe pa kthim mbrapa. Kjo është gjëja më e rëndësishme që na intereson ne. Pavarësisht rezultatit të keq, negativ që morëm me Egnatian, që për mua ishte ndeshje me dy fytyra. Me probleme e mbaruam kampionatin dhe me probleme po e fillojmë. Kur them me probleme e kam fjalën për ata lojtarë që nuk na u rikuperuan në kohën e duhur. Kujtuam që do të kishim dhe Latifin në gjendje për vazhdimësi dhe ndodhi ajo që ndodhi. Me ekipin është punuar. Që të punohet për ngritjen e moralit të një skuadre duhet të jemi të gjithë bashkë. Duhet të jemi duke filluar që nga drejtuesit e skuadrës, duke filluar që nga drejtuesit teknik të skuadrës, duke filluar që nga lojtarët. Do të jetë një ndeshje e hapur. Një ndeshje e luftuar. Duke pasur parasysh dhe momentet në këtë kohë të keqe, që po kalon e gjithë Shqipëria, duhet të kemi shumë parasysh, që mos të kujtojmë që do bëhen të gjitha ndeshjet me të njëjtën natyrë. Kushte të tjera këtu, kushte të tjera atje. Ndeshja do të jetë shumë e fortë, shumë e luftuar. Duhet të kemi parasysh që gabimet që bëmë me Egnatian, atje nuk duhet t’i bëjmë fare. Është thikë me dy presa”, tha fillimisht tekniku kuqeblu, Mirel Josa.
Në vijim, Josa flet edhe për ndryshimet në kampin krutan, ku ditën e djeshme është emëruar trajneri i ri, Ardian Mema, një ish koleg i tij në fushën e lojës kur luante me Tiranën.
“Në radhë të parë i uroj suksese Ardit në këtë rifillim të vonshëm të tij, e kam dhe mik. E kam dhe shok. E kam pasur bashkëlojtar. Ardi ka nisur futbollin, ka ardhur në skuadrën e parë kur ne filluam të iknim nga skuadra. Kam respekt të veçantë për të dhe për të ndjerin, të atin e vet. I uroj suksese për vazhdimësinë. Ardi e ka treguar veten edhe me Tiranën që edhe kur ka qenë trajneri i Tiranës, ka treguar që është i aftë për këtë punë.”, tha Josa për Memën.
Një tjetër pyetje nga ana e gazetarqve ishte edhe ajo për objektivat, për të cilën Josa, tha: “Unë nuk shkoj me llogari afatgjata. Klubi ka disa objektiva. Ne nuk duhet të shkojmë duke parë shumë larg, sepse në futbollin shqiptar, jo vetëm Vllaznia, janë shumë gjëra që ndryshojnë nga java në javë. Duhet të fokusohemi patjetër te ndeshja me Kastriotin. Objektivat e klubit janë të jemi në vend të parë të klasifikimit dhe të vazhdojmë dhe për Kupën. Prandaj thashë që çdo ndeshje na sjell problematikën e vetë, sepse ne nëse do të kishim kapur një rezultat më të mirë me Egnatian, tani do të flisnim ndryshe. Gjë që nuk duhet ta bëjmë.”
Gjatë ditëve të fundit, emri i Mirel Josës është lakuar si preferencë e klubit kosovar, Drita për të marrë drejtimin e kësaj skuadre. “Unë nuk kam pasur asnjë lloj kontakti. Unë respektoj ekipin aktual që jam. Kam një kontratë me të. Nëse ka interesim, sepse kur ka interesim për një person në skuadër, qoftë trajner, qoftë pjesëtar i stafit, qoftë lojtar, duhet ta respektosh. Të respektosh interesimin që kanë klubet e tjera karshi teje, por është një problem që unë nuk mendoj shumë për atë punë. Unë mendoj për punën time këtu. Nga klubi i Dritës unë nuk njoh. Unë njoh vetëm nga Prishtina që kam punuar dy vite atje.”, sqaroi Josa.