Kampionati Botëror i mundjes për moshën deri në 23 vjeç ka ngritur siparin të hënën pasdite në sallën olimpike “Feti Borova”. Ceremonia e hapjes ka sjellë një sërë përshëndetjesh që nga drejtuesit më të lartë të Federatës Botërore të Mundjes, të Federatës Shqiptare të Mundjes, të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe deri të Bashkisë së Tiranës.
“Për ne, personalisht për mua, por edhe për Federatën, ky aktivitet madhor është një mundësi reale që po i japim ne Tiranës. Mbi të gjitha sportit, por edhe vendit tonë për të përjetuar emocionet e një Botërori”, është shprehur në ceremoninë e hapjes, president ii Federatës Shqiptare të Mundjes, Sahit Prizreni.
“Jam shumë i lumtur që gjendem këtu përpara jush. Vlen një falenderim shumë i madh për presidentin e Federatës Shqiptare të Mundjes, i cili për të dytin turne këtë vit radhazi sjell ndërkombëtarë, ashtu sikurse Tirana është kryeqyteti Europian i Sportit. Dhe Federata Shqiptare e Mundjes ka treguar se di të organizojë jo vetëm aktivitete Europiane, por dhe në nivel Botëror”, nënvizon zëvendësministri i Arsimit dhe Sportit, Endrit Hoxha
“Ne jemi shumë të lumtur që organizohen aktivitete të tilla me një vëmendje kaq të madhe në Tiranë. Dje organizuam Maratonën e Tiranës, sot Botërorin e Mundjes U-23. Është një ngjarje shumë e madhe për Tiranën”, thekson drejtori i sporteve në Bashkinë e Tiranës, Gjergji Muzaka
“Pas Kampionatit Europian të moshës deri në 17 vjeç ky Botëror tregon edhe një herë angazhimin e Federatës Shqiptare të Mundjes për të bërë gjëra të mëdha. Dhe unë jam i bindur se do t’ia dalin përsëri, ndërsa të gjithë do të ndiheni të mirëpritur në Tiranë. Për gjithçka më bëhet qejfi për organizimin e mikut tim, presidentit të Federatës Shqiptare të Mundjes, Sahit Prizreni”, thotë zëvendëspresidenti i Federatës Botërore të Mundjes, Theodhoros Hamakos.
Jo më kot, duke përfshirë dhe anëtarin e Bordit Ekzekutiv të Federatës Botërore të Mundjes, Zhelko Trajkoviç, Federata Shqiptare e Mundjes i ka nderuar me mirënjohje. Një event që ka sjellë mbi 40 shtete me një numër total prej gati 600 mundësish, i cili përfundon të dielën e ardhshme.