Saturday, April 27, 2024

Nisin kualifikueset e “EURO 2024” për U19. Irlanda me Roco Vaten titullar, mund Shqipërinë, 3 me 1

Lexo

Kanë nisur pasditen e sotme ndeshjet kualifikuese për Europianin 2023/2024 të kategorisë U-19. Katër skuadrat pjesëmarrëse të grupit 13-të: Shqipëria vendase, Irlanda, Belgjika dhe Sllovenia, do t’i luajnë ndeshjet e tyre në stadiumin “Elbasan Arena”.

Sfida e parë hapëse e Shqipërisë U-19 ishte ajo ndaj kombëtares së Irlandës, një ndeshje ku të veçantë e saj kishte faktin se në formacionin e përfaqësueses irlandeze luante si titullar, Roco Vata, djali i ish kapitenit të kombëtares shqiptare, Rudi Vata. Një futbollist ky që ka marrë vemendjen e opinionit sportiv në lidhje me preferencat e tij se me cilen kombëtare, do të luajë, atë irlandeze që është aktualisht falë nënës së tij me prejardhje nga Irlanda, apo shqiptare, aty ku babai i tij Rudi Vata ka qënë ish kapiten për shumë vite. Nga sa bëhet e ditur, për momentin, Roco është pjesë e kombëtares së Irlandes, por në vazhdimësi, nëse Shqipëria shfaq interes për të, gjë që deri më tani, sipas familjes Vata, nuk ka qënë e tillë, gjërat edhe mund të ndryshojnë.

Trajneri Ervin Bulku e nisi me këtë formacion: Klevi Toshi, Klevis Haxhari, Ermal Meta, Elton Fikaj, Ardit Nuredini, Arlind Kurti, Jordi Jaku, Oresti Kasmollari, Dean Vranici, Flavio Sulejmani dhe Erald Krasniqi.

Ndeshja nisi më mirë për Irlandën që gjeti golin që në minutën e 5-të të takimit me Mark O’Mahony.  Megjithatë kuqezinjtë gjetën forcë dhe barazuan me Erald Krasniqin në minutën e 23, falë një eurogoli. Pjesa e parë e takimit përfundoi në barazim me rezultatin 1-1, ndërsa fraksioni i dytë nisi me dy zëvëndësime për kuqezinjtë. Trajneri Ervin Bulku aktivizoi Dejvi Duron dhe Adi Kurtin.

Në vijim, Irlanda mori avantazhin duke realizuar golin e dytë sërish me Mark O’Mahony, ndërsa tre minuta më vonë Franco Umeh realizoi edhe të tretin për Irlandën. Pavarësisht pësimit të golave të shpejtë, kuqezinjtë u munduan të reagonin. Klevis Haxhari i shkoi shumë pranë golin të dytë por u ndal nga shtylla. Në fund gjithçka përfundoi me rezultatin 3-1, ndërsa sfida e radhës për Shqipërinë U-19 do të jetë ndaj Belgjikës U-19, më datë 18 nëntor në orën 14:00.  Ndeshja e fundit do të jetë ndaj Sllovenisë U-19, më datë 21 nëntor në ora 14:00.

Ndeshja tjetër e grupit mes Sllovenisë U-19 dhe Belgjikës U-19 përfundoi në barazim 1-1. Sfida u luajt në “Arena Egnatia” dhe të dy golat u realizuan në fraksionin e dytë. Jaka Cuber Potocnik i dha avantazhin Sllovenisë në minutën e 52, ndërsa Belgjika vendosi baraspeshën në të 66-ën falë golit të Arjan Malic.

Në bazë të rregullores së UEFA-s, dy skuadrat e renditura në vendin e parë të çdo grupi do të avancojnë në “Elite Round”, së bashku me skuadrën e tretë më të mirë në të gjitha grupet në këto kualifikuese. Faza finale e Europianit të moshës U-19 do të zhvillohet në Irlandën e Veriut në verën e vitit 2024.

Më poshtë kalendari dhe renditja e ndeshjeve kualifikuese të Grupit 13 të Europianit U-19:

Datë 15.11.2023

Slloveni– Belgjikë 1-1

Irlandë – Shqipëri 3-1

Datë 18.11.2023

Irlandë – Slloveni “Arena Egnatia” ora 11:00

Belgjikë – Shqipëri “Elbasan Arena” ora 14:00

Datë 21.11.2023

Belgjikë – Irlandë “Arena Egnatia” ora 14:00

Shqipëri – Slloveni “Elbasan Arena” ora 14:00

Renditja:

  1. Irlandë 3 pikë
  2. Belgjikë 1 pikë
  3. Slloveni 1 pikë
  4. Shqipëri 0 pikë

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img