Kinostudio-Basania 1-3(Shënues: Flori Leka 19’, Albert Milla 53’, 67’ /Bajraktari 23’
Kinostudio: Aliaj, Spahiu, Kuçi, Saraçi, Kalemi, Loka, Bajraktari, Daxha, Pillati, Gjoka, Bulku.(U aktivizuan: Gjonpalaj, Dedaj, Muja, Kola).
Basania: Keita, Shema, Sidibe, Leka, Mila, Puka, Mani, Nikshiqi, Zagani, Shimaj, Zefi,.(U aktivizuan: Limani, Canja, Hasanaj, Abdija). Trajner: Fatjon Hasani
Gjyqtarë: N. Rira, K. Prenga, F. Behari, M. Syziu, D. Taku
Kampionati Kombëtar i futbollit për kategorinë e tretë të futbollit shqiptar ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme për Basanian. Skuadra që përfaqëson zonën e Bushatit të Bashkisë Vau i Dejës ka dalë fituese që në javën e parë startuese të kampionatit, teksa ka mundur Kinostudion e Tiranës me rezultatin 1 me 3.
Ndeshja e luajtur pasditen e sotme në fushën e kompleksit sportiv të ekipeve kombëtare në Kamëz është shoqëruar me luftë të fortë sportive, rivalitet dhe emocione, nga fillimi deri në mbyllje të saj. Krahas golave, tre në portën e Kinostudios dhe një në atë të Basanias, emocionet e kësaj ndeshje ia kanë shtuar edhe dy tifozëritë e skuadrave përkatëse, të cilat kanë mbështetur skuadrat e tyre për fitore në këtë ndeshje.
Dhe, në fund, gëzimi ka qënë për tifozërinë bushatase, e cila ka shijuar një fitore të merituar të realizuar nga skuadra e tyre me rezultatin 1 me 3. Për të, ka menduar Flori Leka, i cili tundi rrjetën e portjerit vendas Aliaj që në minutën e 19-të, si dhe më pas dopieta e Albert Miles, përkatësisht në minutat 53 dhe 67, ndërkohë që më herët Kinostudio kishte barazuar përkohësisht me anë të Bajraktarit në minutën e 23-të.
Starti me fitore që në javën e parë të kampionatit të kategorisë së tretë është një sinjal shumë pozitiv për Basanian, trajnerin e saj Fatjon Hasani dhe po ashtu për presidentin, Ermir Shimaj, të cilët me sa duket, me përkushtimin dhe investimet e bëra në ndërtimin e skuadrës si dhe në insfrastruturën sportive kanë vënë seriozisht kandidaturën e skuadrës që kërkon kualifikimin në kategorinë e dytë të grupit A, ku bën pjesë. Megjithatë, edhe pse fillimi është shumë entuziast, duhet pritur sepse kampionati është i gjatë, dhe për ta mbajtur këtë pozitë krysuese dhe pretenduese, duhet shumë punë, gjë që një gjë e tillë nuk do të mungojë në klubin e futbollit më të ri të zonës veriore, me emrin simbolik dhe pas edhe historik, Basania.
(Video) Pamje nga ndeshja e futbollit e kategorisë së tretë, Kinostudio-Basania, 1 me 3. Java e parë e kampionatit, 15 nëntor 2023)
Gaspër MARKU