Aktiviteti i fundit për vitin 2021 në sportin e notit ishte Kupa “Klavio Meça” e organizuar në Tiranë me pjesëmarrjen e ekipeve më të mira të kampionatit kombëtar. Një aktivitet ky i zhvilluar në nderim dhe përkujtim të ish sportistit të talentuar i cili u nda nga jeta një vit më parë.
Ashtu si edhe në aktivitetet e tjera kombëtare , nuk mund të mungonte edhe ekipi i Vllaznisë, i cili nën drejtimin e trajnerit të mirënjohur Kol Shiroka bëri një figurë shumë të mirë sportive.
Fitimi i 8 medaljeve nga notarët shkodranë tregon për paraqitjen mjaft të mirë që Vllaznia ka bërë në këtë aktivitet.
Figurën më të mirë sportive e ka bërë notarja, Elia Lika e cila ka arritur të fitojë 4 medalje. Kështu, duke konkuruar në kategorinë OPEN është renditur dy herë në vendet e dyta në disiplinat 50 meter stil i lirë dhe 100 meter bretkosë. Po në këtë kategori, Lika arriti të fitonte edhe dy vende të treta në 50 meter bretkosë dhe 100 meter stil i lirë.
Figurë shumë të mirë sportive bëri edhe Uerda Jahaj, notarja e cila fitoi 3 medalje. Konkretisht, ajo fitoi vend të dytë në kategorinë OPEN në garen 100 meter delfi dhe vende të treta në garat 50 meter delfi dhe 400 meter stil i lirë. Ndërkohë, notarja, Michelle Bushati duke konkuruar në garën e vështirë të katërnotimit fitoi vendin e tretë në kategorinë OPEN në disiplinen 100 meter.
Surprizat e këtij eventi ishin sportistët shkodranë, Daris Sakti dhe Skerdi Kroni. Të cilësuar si sportistët më të rinj të ekipit të moshave 6 dhe 8 vjeç ato arriten rezultatet më të mira për moshën e tyre në historinë e Vllaznisë në Not duke konkuruar në disiplinen 50 meter stil i lirë. Rezultate premtuese për të ardhmen treguan edhe notarëtt David Palushani dhe Ersi Shimaj.
Sipas kryetrajnerit Kol Shiroka, i cili prej shumë vitesh vazhdon të punojë plot passion në përgatitjen e notarëve të Vllaznisë, me Kupën “Klavio Meça”, ekipi i Vllaznisë mbyll garimet për vitin 2021 me perspektiva të shumta për të ardhmen.