BYLIS 7.5 – Tri pikë që mbajnë gjallë shpresën për mbijetesë dhe dopieta e sulmuesit Luis Kaçorri, që vjen atëherë kur skuadra ka më shumë nevojë. Ballshiotët thyen një rival direkt si Erzeni në transfertë dhe konfirmuan se nuk do të dorëzohen deri në javën e fundit. Shanset për të shpëtuar sezonin tashmë janë shtuar.
KUKËSI 7.5 – Duket triumf i pastër nëse sheh rezultatin 3-0, por ekipi i Hallaçit vuajti shumë ndaj Laçit. Megjithatë, në fund rëndësi kanë pikët dhe Kukësi mori maksimumin nga një takim shumë delikat. Kjo fitore i jep qetësi për momentin skuadrës së drejtuar nga Rraman Hallaçi, që të dielën ka një “finale” për mbijetesën ndaj Bylisit.
KASTRIOTI 7.5 – Krutanët treguan ndaj Egnatias se janë aty dhe nuk kanë ndërmend të dorëzohen derisa matematika t’i mbajë në lojë. Një gol i sulmuesit Bedri Greca i dha Kastriotit tri pikë të arta për të mbajtur gjallë shpresën. Skuadra e Çelës i ka shanset për të qenë në “play out”, por duhet që të bëhen bashkë disa kombinime rezultatesh.
VLLAZNIA 7 – Pas serisë së rezultateve negative, shkodranët marrin më në fund një fitore në shtëpi ndaj Teutës, që është rival direkt për vendin e katërt. Duke përfituar edhe nga humbja e Laçit, ekipi i Sedloskit u ngjit në pozicionin që të çon në Europë. Kalendari nuk është treguar bujar, pasi të dielën luajnë kundër Partizanit.
TIRANA 6 – Rezistoi në derbi, duke marrë 1 pikë që vlen si fitore në rrugën drejt titullit. Edhe pse me disa mungesa dhe në disavantazh të një goli deri afër fundit, skuadra e Shehit gjeti forcat për të barazuar. Diferenca + 2 pikë nga Partizani u jep një shtysë të madhe bardhebluve, që këtë javë luajnë në Laç, aty ku u duhet një sforco.
PARTIZANI 5.5 – “Vetëvrasje” në derbi, duke mos menaxhuar dot avantazhin në një ndeshje ku i kishin të gjitha shanset për të parakaluar rivalin direkt. Të kuqtë u treguan të brishtë atëherë kur kishin gjithçka në dorë. Zëvendësimet e trajnerit Kolela lanë për të dëshiruar, duke ia ulur ritmin ekipit.
EGNATIA 4 – Ndeshje për t’u harruar e rrogozhinasve, që ishin në një ditë jo të mirë ndaj Kastriotit, duke humbur pas një muaji ecurie fantastike. Kartoni i kuq i Malotës në pjesën e parë ndikoi jo pak.
TEUTA 4 – Në ndeshjen ku duhet të kishte nxjerrë “xixa” në fushë, ekipi durrsak tregon limite, duke pësuar shpejt dhe humbur në Shkodër. Tashmë shanset për të kapur vendin e katërt zvogëlohen ndjeshëm.
LAÇI 4 – Nuk luan keq në Kukës, por e pëson nga një goditjes standarde dhe më pas shthuret, duke u ndëshkuar edhe me dy gola të tjerë në fund. Lëshon vendin e katërt dhe tashmë e pret kryendeshja me Tiranën.
ERZENI 4 – Shijakasit janë në rënie të lirë, teksa humbja ndaj Bylisit mund t’i kushtojë shtrenjtë për mbijetesën. Kambanat e alarmit kanë rënë tashmë dhe sfida e radhës me Egnatian merr një rëndë.
Trajneri më i mirë i javës së 33-të Superiores, Naxhi Shensoi i Bylisit. Trajneri më i dobët i javës së 33-të të Superiores, Stavri Nica i Laçit.