KUKËSI 7.5 – Duket triumf i pastër nëse sheh rezultatin 3-0, por ekipi i Hallaçit vuajti shumë ndaj Laçit. Megjithatë, në fund rëndësi kanë pikët dhe Kukësi mori maksimumin nga një takim shumë delikat. Kjo fitore i jep qetësi për momentin skuadrës së drejtuar nga Rraman Hallaçi, që të dielën ka një “finale” për mbijetesën ndaj Bylisit.
KASTRIOTI 7.5 – Krutanët treguan ndaj Egnatias se janë aty dhe nuk kanë ndërmend të dorëzohen derisa matematika t’i mbajë në lojë. Një gol i sulmuesit Bedri Greca i dha Kastriotit tri pikë të arta për të mbajtur gjallë shpresën. Skuadra e Çelës i ka shanset për të qenë në “play out”, por duhet që të bëhen bashkë disa kombinime rezultatesh.
VLLAZNIA 7 – Pas serisë së rezultateve negative, shkodranët marrin më në fund një fitore në shtëpi ndaj Teutës, që është rival direkt për vendin e katërt. Duke përfituar edhe nga humbja e Laçit, ekipi i Sedloskit u ngjit në pozicionin që të çon në Europë. Kalendari nuk është treguar bujar, pasi të dielën luajnë kundër Partizanit.
TIRANA 6 – Rezistoi në derbi, duke marrë 1 pikë që vlen si fitore në rrugën drejt titullit. Edhe pse me disa mungesa dhe në disavantazh të një goli deri afër fundit, skuadra e Shehit gjeti forcat për të barazuar. Diferenca + 2 pikë nga Partizani u jep një shtysë të madhe bardhebluve, që këtë javë luajnë në Laç, aty ku u duhet një sforco.
PARTIZANI 5.5 – “Vetëvrasje” në derbi, duke mos menaxhuar dot avantazhin në një ndeshje ku i kishin të gjitha shanset për të parakaluar rivalin direkt. Të kuqtë u treguan të brishtë atëherë kur kishin gjithçka në dorë. Zëvendësimet e trajnerit Kolela lanë për të dëshiruar, duke ia ulur ritmin ekipit.
EGNATIA 4 – Ndeshje për t’u harruar e rrogozhinasve, që ishin në një ditë jo të mirë ndaj Kastriotit, duke humbur pas një muaji ecurie fantastike. Kartoni i kuq i Malotës në pjesën e parë ndikoi jo pak.
TEUTA 4 – Në ndeshjen ku duhet të kishte nxjerrë “xixa” në fushë, ekipi durrsak tregon limite, duke pësuar shpejt dhe humbur në Shkodër. Tashmë shanset për të kapur vendin e katërt zvogëlohen ndjeshëm.
LAÇI 4 – Nuk luan keq në Kukës, por e pëson nga një goditjes standarde dhe më pas shthuret, duke u ndëshkuar edhe me dy gola të tjerë në fund. Lëshon vendin e katërt dhe tashmë e pret kryendeshja me Tiranën.
ERZENI 4 – Shijakasit janë në rënie të lirë, teksa humbja ndaj Bylisit mund t’i kushtojë shtrenjtë për mbijetesën. Kambanat e alarmit kanë rënë tashmë dhe sfida e radhës me Egnatian merr një rëndë.
Trajneri më i mirë i javës së 33-të Superiores, Naxhi Shensoi i Bylisit. Trajneri më i dobët i javës së 33-të të Superiores, Stavri Nica i Laçit.