Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka dhënë një intervistë për televizionin “A2 CNN News”, ku ka folur për shumë tema, kryesisht për arritjet e ekipit Kombëtar, kualifikimi në “Euro 2024” dhe vendi i parë në Grupin E.
Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar është ndalur edhe te e ardhmja e trajnerit Silvinjo dhe ka komentuar shortin e 2 dhjetorit, duke deklaruar se Shqipëria nuk ka frikë asnjë kundërshtarë. Përsa i përket mbështetjes së madhe nga tifozët e Kombëtares, Presidenti theksoi se beson që në Gjermani, Shqipëria do të jetë skuadra më e mbështetur.
Emocionet e kualifikimit – “Jemi në një moment shumë të bukur në përfundim të edicionit kualifikues për Europianin “Gjermani 2024“, për atë që ka arritur ekipi dhe për atë që ka dhuruar në fushë. Atë që kanë mbështetur të gjithë spektatorët në stadium dhe jashtë tij dhe për çdo gjë që ka ndodhur në ekipin Kombëtar në vitin 2023. Jo vetëm rezultatet e ekipit Kombëtar, padyshim që rezultati është gjëja më e rëndësishme, më e dukshme, më e prekshme, më e dashur për të gjithë shqiptarët, por në përgjithësi viti 2023 për futbollin shqiptar ka qenë vit i mirë dhe i suksesshëm me ngjarje shumë të mira, historike e progresive. Jam i lumtur në total për të gjitha zhvillimet e vitit 2023 në futbollin shqiptar“.
E ardhmja e trajnerit Silvinjo – “Vetë puna e trajnerit gjatë këtij edicioni, rezultatet dhe ajo çfarë ai ka transmetuar me të gjithë faktorët mediat, publikun e futbollistët e ka bërë një figurë të respektuar dhe të vlerësuar gjatë gjithë edicionit. Sipas eksperiencës time është nga të vetmit trajner që pothuajse nuk ka kritikë, kjo nuk ndodh shpesh në futboll. Trajnerët e futbollit kritikohen shumë, për këtë më vjen mirë sepse është drejtuesi i ekipit tonë Kombëtar, është drejtuesi i gjësë më të shtrenjtë që kemi ne, jo vetëm Federata por të gjithë shqiptarët. Gjëja më e bukur që kemi për mua është ekipi Kombëtar. Silvinjo e ka merituar me punën e vet, me sjelljen që ai ka dhe me rezultate.
Përsa i përket të ardhmes unë uroj që ai të bëjë mirë dhe të vazhdojë të bëjë mirë. Gjërat jo gjithmonë varen vetëm nga trajneri, ai ka një pjesë të suksesit apo mos suksesit në skuadër por atë pjesë specifike kryesore që ka duhet ta bëj shumë mirë. Duhet të përgatisim bashkërisht shumë mirë edhe turneun final të Gjermanisë dhe pse jo të bëjmë rezultate pozitive atje. Pastaj në vazhdimësi unë mendoj që duhet të jetë i kënaqur për të vazhduar projektin dhe ne për momentin ndihemi mirë dhe nuk besoj se kjo mund të përbëj ndonjë risk. Trajneri dhe i gjithë stafi i Kombëtares ka kontratë deri pas edicionit, padyshim që do të respektohet kontrata nga të dy palët.
Qëndrimi jonë është pozitiv përderisa pasqyrohen të gjithë të mirat dhe sukseset e trajnerit dhe stafit gjatë kësaj kohe, kjo do të thotë që nuk kemi asnjë arsye që të mos kërkojmë vazhdimin e këtij projekti. Nga ana tjetër Silvinjo është i lumtur në Shqipëri, ndihet shumë mirë me bashkëpunëtorët, Federatën, publikun, median dhe me futbollistët. Pikërisht për këtë thash që nuk shoh ndonjë risk që ky bashkëpunim të mos vazhdojë”.
Frikë nga shorti – “Ne jemi të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm se ku shkojmë dhe çfarë na pret. Niveli është i lartë dhe vështirësia është e madhe në turneun final të Europianit. Të gjitha skuadrat vijnë me synime të qarta, dikush për të shkuar në finale, dikush për të marrë titullin, apo shumica për të shkuar sa më gjatë. Duke patur parasysh se çfarë ka në përbërje Europiani, nuk shoh ndonjë skuadër që të them se po të kemi këtë apo atë ne do marrim tre pikë. Janë skuadra të gjitha të forta, të gjitha për t’u respektuar por edhe ne jemi skuadër e mirë. Jemi skuadër me kualitete e organizuar, një skuadër me djem shumë të mirë që japin gjithçka në fushë, me tifozë që na mbështesin.
Kam shumë besim që ne do jemi skuadra më e mbështetur në Gjermani nga sportdashësit. Për të gjithë këto arsye mendoj që do të bëjmë mirë. Ne do të shkojmë për të luajtur futboll, nuk do të shkojmë për luftë, kështu që frikë nuk kemi asnjë. Padyshim kemi vlerësim maksimal për të gjitha skuadrat që janë atje. Çfarëdo që të sjell shorti do ta mirëpresim dhe do të përgatitemi për të luajtur më mirë, por ajo që do të dëshiroja më shumë është Gjermania, sepse do të ishte ndeshja hapëse dhe do të ishte një promocion i mirë për futbollin shqiptar, por edhe për Shqipërinë në përgjithësi”.
De Biazi apo Silvinjo, preferencat personale – “Unë e kam vlerësuar maksimalisht kontributin e De Biazit në ekipin Kombëtar, në kualifikimin historik për herë të parë të Shqipërisë në Euro 2016, por në këndvështrimin tim në përgjithësi njerëzit nuk janë të krahasueshëm. Kanë karakteristikat dhe specifikat e veta, mjafton që balancat të jenë pozitive, që do të thotë balanca e të mirave dhe të këqijave. Të gjithë ne jemi qenie humane që kemi të mira dhe të këqija qoftë në drejtim, menaxhim, mendim dhe në çdo fushë të jetës.
Kështu që mjafton që balancat të jenë pozitive dhe të dy trajnerët kanë balanca pozitive, se kush më shumë e më pak e ke të vështirë dhe çdokush e sheh me këndvështrimin e vet, por aktualisht trajneri që kemi është shumë i mirë. Në momentin që kemi vendosur që Silvinjo të jetë trajneri i Shqipërisë mbase nuk kemi qenë të bindur ne dhe shumë të tjerë si ne, ishte një trajner jo me shumë eksperiencë aq më shumë Brazilian që nuk është se shquhen sidomos në Europë për trajnerë shumë të mirë. Por dëshira, përkushtimi i tij dhe eksperienca që ai ka marrë në futbollin e luajtur në nivelin shumë të lartë por edhe si trajner në ekipet Europiane i ka gërshetuar dhe rezulton shumë mirë. Por nuk mund t’i krahasojmë”.
Çfarë fitohet nga ky Europian – “Ajo që përfitohet kryesisht është rritja e vetë futbollistëve, shembulli që japin futbollistët për të gjithë popullin dhe jo vetëm për ata që do të luajnë futboll, por për çdo njeri apo për çdo fëmijë, për të parë se si mund të arrihen sukseset. Për mua këto janë dy benefitet kryesore. Pastaj në planin Kombëtar, unë nuk mendoj që ne kemi shumë fusha në jetë që mund të reklamohemi më mirë si vend se sa futbolli. Ne e dimë shumë mirë se sa shumë e ka pasqyruar Shqipërinë Euro2016, madje në planin global botëror shumë vende të botës nuk e njihnin Shqipërinë dhe e kanë njohur nga 2016-ta. Tani do ta njohin akoma më shumë dhe ky është një benefit tjetër. Në planin ekonomik nëse ne do të shkojmë gjatë ka edhe një lloj të ardhure më shumë për FSHF-ën, për të bërë më shumë investime në përmirësimin e infrastrukturës”.
Kualifikimi në Kupën e Botës, është një objektiv – “Ne përfunduam edicionin të parët në grup dhe nëse këto do ishin kualifikueset e Botërorit, ne do të ishim pjesë e Kupës së Botës, sepse në të njëjtin format do të luhet për kualifikueset e Botërorit. Ne kemi një skuadër të mirë me kualitete dhe mund të bëjmë mirë, siç kemi bërë këtë edicion duke mundur Poloninë pas më shumë se 70 vitesh, apo Çekinë gjithashtu pas më shumë se 70 vitesh, mund të fitojmë edhe kundër skuadrave të tjera. Por mund të na ndodhi edhe si me Ishujt Faroe që nuk arritëm ta mundnim megjithëse konsiderohet një skuadër e vogël. I kemi të gjitha mundësitë për të konkurruar edhe për Kampionatin Botëror”.
Biletat e Europianit – “Ky është një turne final dhe duke qenë i tillë çdo gjë është e organizuar nga UEFA. Të drejtat televizive, të reklamave, të biletave menaxhohen nga UEFA. UEFA nuk ka një fabrikë që prodhon para dhe na i shpërndan neve, pikërisht këto të ardhura ndahen dhe marrin pjesën e vet të gjithë ekipet pjesëmarrëse. Shitja e biletave ka filluar nga UEFA në ato rregulla që janë, çdo individ ka të drejtë të aplikojë pastaj nëse miratohet të marrë jo më shumë se katër bileta”.
Çfarë do të thotë të jesh Zv.President i UEFA-s – “ Jam ndjerë mirë jo vetëm indvidualisht, por edhe si Shqiptarë, si përfaqësues i futbollit shqiptar që më është besuar dhe jam mbështetur për të qenë fillimisht një nga anëtarët e Komitetit Ekzekutiv dhe më pas ZëvendësPresident i UEFA-s. Për mua UEFA është një nga organizatat më të mira. Jo vetëm sepse ka lojën më të bukur në botë, por edhe nga mënyra se si funksionon, bashkëpunon, solidariteti që kanë të gjithë anëtarët e saj, mbështetja dhe niveli shumë i lartë profesional”.
Stadiumi “Air Albania” – “Stadiumi është fantastik shumë i bukur. Ka bërë katër vjet që është inauguruar dhe ashtu siç është projektuar fantastik, shumë i bukur dhe komod, jam vërtetë i gëzuar që ashtu vijon të jetë edhe sot, sikur të jetë ndërtuar dje. Ka krijuar një kulturë tjetër për mbështetjen e ekipit Kombëtar kryesisht në kryeqytet. Ka patur shumë diskutime para se të ndërtohej, ka patur skepticizëm, por unë besoj që tani janë të gjithë bashkë dhe i pëlqen. Unë personalisht e kam përjetuar si ëndërr kur kam qenë brenda stadiumit të përfunduar. Kam menduar vërtetë është i joni ky stadium duke kujtuar se ku kemi qenë dhe ku kemi luajtur më parë.
Nëse do të ishte më i madh sidomos në ndeshje specifike me mbështetjen që ka ekipi Kombëtar nuk do të mjaftonte çdo lloj kapaciteti por gjithsesi është një stadium fantastik. Gjithmonë duhet të bëhet më mirë, vitet kalojnë, koha kalon, futbolli rritet dhe ka akoma më shumë interes dhe me rritjen e futbollit shtohet edhe numri i mbështetësve, kështu që duhet të rriten edhe stadiumet. Nuk e di nëse është i vërtetë projekti që është përfolur kohët e fundit në rrjetet sociale, nëse është i vërtetë dhe ka diçka konkrete, apo është ndonjë ëndërr dhe dëshirë”.