Vllaznia e këtij sezoni futbollistik ka bërë për vete të madh e të vogël, që nga Shkodra dhe deri në Sarandë. Paraqitjet e saj mbresëlënëse kanë kaluar edhe përtej Shqipërisë duke entuziasmuar edhe shumë e shumë shkodranë dhe shqiptarë që jetojnë jashtë vendit. Por, natyrisht, ato që e ndjejnë më shumë se kushdo tjetër janë bijtë e këtij qyteti, ato që i kanë rrënjët e thella në traditën dhe historinë e mirëfilltë të Shkodrës, përfshirë edhe sportin ku njihet si djepi dhe vendlindja thuajse e të gjithë sporteve në Shqipëri.
Veriu Sport, sonte është ndalur tek njëri prej atyre që i ka dhënë shumë sportit shkodran në vite. Bëhet fjalë për Astrit Dervishin, ish gjyqtarin e ndërkombëtar të futbollit, pjesë e një prej familjeve që ka kontribuar fort në historinë e sportit dhe arsimit shkodran. Këtu kemi parasysh babain e tij, të mirënjohurin Qazim Dervishi, ish gjyqtarin e parë ndërkombëtar të futbollit në Shqipëri, arsimtarin dhe kontribuesin kryesor në sjelljen e sportit të basketbollit në Shkodër që me të drejtë sot pallati i sportit i këtij qyteti mban emrin e tij, “Qazim Dervishi”.
Jo më kot, djali i tij Astrit Dervishi, por edhe nipërit, Endir dhe Melis Dervishi vijuan me të njëjtin passion rrugën e sportit si gjyqtarë të futbollit.
Shkak për këto shënime fragmentare rreth familjes sportive “Dervishi” u bë opinioni që Astrit Dervishi, i cili në cilësinë e analistit të mirënjohur të sportit, vëzhguesit të FSHF-së, por edhe arsimtarit të spikatur, përcolli për fitoren e radhës të Vllaznisë, atë të sotmen në transfertë ndaj Bylisit, fitore që ka ngritur peshë tërë Shkodrën dhe më gjërë, përfshirë edhe vetë Astrit Dervishin, të cilin e frymëzoi të shprehte emocionet e tij përmes këtyre vargjeve.
……
Ti VLLAZNI!
Ti Vllazni t’ban me u hedhë përpjetë prej gzimit.
Ti t’gazmon,të jep jetë,
je si ajo rrfeja sferike, që hyn prej bir’s s’çilcit n’çdo familje shkodrane, e i nep frymë, e e çon n’kamë edhe at’ prej t’cilit mjeksija ka hjeke dorë.
Ti i ban miq të tanë ato që ndodhen ndër klube, tuj i ba me harru që deri at’herë ndoshta s’i flitshin njeni tjetrit me gojë, ndërsa prej tejet gjinden t’përqafumë fort.
Ti ia shton oreksin shkodranve, pa pase nevojë për vitamina.
Tì i ban makinat me shkariku bateritë prej borijave pa fund.
Ti i ban pasagjert’ mos me ndejë n’sedilje, por me dalë me ndejë përjashta pexhereve.
Ti ia shton muhabetet e përditshme e ia shndrit sytë gjithkujt, që ka lujtë top edhe veç njiherë.
Ti fut’ gazin e rrit dashninë n’familjet tona.
Ti nuk munë veç nji ekip kur t’mushet mendja, por tanë Shqipninë.
Ti je e mbetesh andrra e çdo fmije.
Ti je ndjenje, je vlerë, je knaqsi e krenari.
Ti i ban njerzit me fluturu e me t’dashtë pa fund.
Je Ti pra VLLAZNI pjesë integrale e jetës sonë.
Na gzo, na gzo, na gzo, e kurrë mos harro… se t’dona si fmitë!
Fama t’u rritë!
Gaspër MARKU