“Egnatia e ka mundësinë për të bërë hapin final. Nëse do të doja të shmangia një kundërshtar në finale, atëherë do them Tirana”. Kështu është shprehur Renato Malota, lideri i padiskutueshëm i skuadrës komanduese të Superiores, Egnatias, i pranishëm në studion e emisionit “Rubrika Sportive” në RTSH. Një vështrim në të gjithë fushën nga ana e mbrojtësit potent, që e sheh forcën e ekipit te grupi.
“Dua të falenderoj të gjithë grupin e lojtarëve dhe stafin për reagimin që treguan pasi humbëm kapitenin tone(Duamenën). Dua të them se forca e ekipit është grupi . Ne i kemi dominuar të gjithë ekipet me lojën që po bëjmë, edhe me Vllazninë nuk ishte ndonjë rastësi, pavarësisht se ata po kalojnë një moment të vështirë. Po punojmë shumë, pjesa më e madhe e ekipit është që nga sezoni i kaluar dhe kjo është shumë e rëndësishme. Urojmë që të vazhdojmë në këtë rrugë”.
“Mbrojtja e mirë të jep trofe. Kur themi mbrojtja, nuk mendojmë vetëm repartin e mbrojtjes, por edhe mesfusha. Trajneri Tetova? Është shumë cinik, gjithmonë kërkon që idetë e tij të dalin”.
“Duke parë se si është ndërtuar Egnatia si ekip, dua të them se e kemi mundësinë për hapin final. Por duhet të shikojmë se çfarë do të bëhet në janar, sepse kapiteni ynë na ka lënë një boshllëk shumë të madh. Lojtarë me cilësi kemi, shpresojmë të vazhdojmë në këtë rrugë”.
“Në finale do doja të shmangia Tiranën, sepse është i vetmi ekip që na ka mundur në sezonin e kaluar, është si ‘mace e zezë’ për ne. Nuk është se kemi frikë ndonjë ekip, e kemi treguar që i kemi dominuar të gjithë kundërshtarët, por nëse më duhet të zgjedh një, atëherë do them Tirana”.
“Kam luajtur me të gjitha skuadrat kryesore të Superiores? Po është e vërtetë, vetëm me Tiranën nuk kam luajtur, por kam patur oferta disa herë”.
Malota, ish pjesë e Partizanit vite më parë ka folur dhe për derbin e kryeqytetit që u mbyll në barazim 1-1. “Derbi ishte një ndeshje e bukur për tu ndjekur. E kam provuar një ndeshje të tillë dhe kam shënuar gol ndaj Tiranës në fitoren 2-1, por tani jam lojtar i Egnatias”.
“Bintsuka? Nuk është i lehtë për tu mbuluar, i fortë në lojën në ajër, por Mba është një lojtar më potencial”.