Monday, November 25, 2024

Pak ditë larg finales së UECL, zëdhënësi i FSHF-së Fatjon Kodra: Po përgatitemi për një organizim të shkëlqyer të eventit

Lexo

Ka nisur tashmë numërimi mbrapsht për të pritur eventin më të madh futbollistik në Tiranë më 25 maj. Finalja e UEFA Europa Conference League që do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania” është vetëm 19 ditë larg, teksa puna për të organizuar një ndeshje të shkëlqyer ka nisur prej kohësh.

Për zëdhënësin e shtypit të FSHF-së, Fatjon Kodra, niveli i organizimit të kësaj finaleje nga UEFA është po i njëjti me organizimin e finaleve të kompeticioneve të tjera. Kodra zbulon detaje edhe se kur kanë nisur përgatitjet për të pritur një aktivitet të këtyre përmasave ndërsa më tej, ai tregon edhe për interesin e madh të tifozëve për të qenë të pranishëm në stadiumin “Air Albania”, mbrëmjen e 25 majit tek organizimi i fan meeting point e ceremonia e ndeshjes.

Rëndësia e aktivitetit – Është një aktivitet i përmasave madhore. Në Shqipëri mund të jenë bërë në të kaluarën edhe aktivitete të mëdha ndërkombëtare, por ky event, për nga përmasat, për nga njerëzit e përfshirë dhe për nga niveli i sigurisë dhe shumë aspekte të tjera, është më i madhi që mund të ketë pritur ndonjëherë Shqipëria. Po bëhet i njëjti organizim për këtë finale si të ishte një ndeshje Champions League nga ana e UEFA-s, FSHF-së dhe të gjitha institucionet e tjera të përfshira për këtë ndeshje.

Kur kanë nisur përgatitjet për të finalen? – Përgatitjet për këtë ndeshje kanë nisur që në momentin e nisjes së punimeve të stadiumit “Air Albania” sepse sigurisht aty ishte themeli. Të pasurit një stadium të këtij niveli, i jepte mundësinë Federatës së Futbollit të aplikonte për të pritur një event të këtilla përmasave. Pra, përgatitjet për të pritur një aktivitet të tillë kanë nisur që para gati 6 vitesh dhe për të vijuar më tej me plotësimin e dokumentacionit, që është bërë një punë shumë voluminoze sepse UEFA është një instituicion shumë serioz dhe nuk i lë gjërat rastësisë. Federata e Futbollit ka dorëzuar një dokumentacion shumë të madh në mënyrë që të bindnim UEFA-n, që Shqipëria, Federata Shqiptare e Futbollit, stadiumi “Air Albania” ofronte të gjitha kapacitetet për të pritur një finale të tillë. Deri në momentin kur u mor vendimi që ka qenë realisht lehtësim i madh sepse u bë një punë shumë e madhe. Është shumë bukur kur mundi shpërblehet. Kjo i vlen më shumë Shqipërisë sesa Federatës Shqiptare të Futbollit.

Biletat dhe si mund të blihen ato – Do ketë një numër të caktuar biletash për çdo skuadër finaliste, rreth 4000 mijë do të jenë për Romën dhe rreth 4000 mijë do të jenë për Feyenoord. Do t’i jepen klubeve dhe më pas ato do të bëjnë procesin e shpërndarjes. Rreth 8000 mijë bileta do të jenë për shitje të përgjithshme. Kushdo mund të aplikojë, duke hapur llogarinë e tij në UEFA. Madje bëj thirrje, pasi jemi në fazën e fundit të procesit të aplikimit, që të aplikojnë në faqen e UEFA-s duke krijuar një llogari aty. Pastaj edhe kjo pjesë do të jetë sërish me short, pasi ka shumë kërkesa, jo vetëm nga Shqipëria, por nga shumë vende të tjera. Shqipëria do të ketë më shumë prioritet për të marrë bileta, sesa vendet e tjera. Sipas informacioneve të fundit, mendohet që të fillojë shitja ditën e hënë ose të martën.

Plani i UEFA-s dhe puna deri tani – Puna në terren ka nisur që pasi FSHF-së iu besua pritja dhe organizimi i këtij eventi dhe që në shtator, UEFA ka nisur me vizita inspektuese dhe në çdo muaj kemi pasur grupe të mëdha zyrtarësh nga UEFA. Ata monitorojnë dhe kontrollojnë çdo proces. UEFA ka një plan të qartë jo vetëm për personat VIP, sponsorët, të ftuarit që do të vijnë në Shqipëri, por edhe për tifozët. Në bashkëpunim me institucionet vendase është punuar për mënyrën se si do të bëhet mbërritja e tyre, kapacitetet akomoduese të aeroportit, transporti i tyre deri në Tiranë, si do të ndahen tifozeritë për të shmangur përplasjet.

Portë e hapur për të pritur ndeshje të rëndësishme në “Air Albania”? – Kjo finale do të jetë një mundësi e shkëlqyer për finalen. Kjo është një eksperiencë e shkëlqyer për FSHF, por duhet të kemi parasysh që kjo nuk është e vetmja eksperiencë që kemi pasur me UEFA-n, pasi kemi pasur edhe më herët.

Ceremonia? – Do të jetë fantastike, sidomos për ata që do ta ndjekin nga stadiumi. Edhe dy klubet vetë do të jenë të organizuara në dy “fan meeting point” të ndryshëm në Tiranë. Do të jetë një festë e vërtetë dhe Tirana do të jetë e mbushur plot me njerëz nga të gjitha vendet e Europës, jo vetëm nga Italia dhe Holanda. Priten rreth 35.000 njerëz sipas përllogaritjeve të UEFA-s. Impakti do të jetë i jashtëzakonshëm me të ardhurat që do të injektohen në ekonominë shqiptare. Do të jetë një eksperiencë e shkëlqyer.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img