Të fitosh një derbi, dhe sidomos atë të kryeqytetit, për çdo trajner është një sukses dhe arritje profesionale. E tillë ka qënë fitorja e Tiranës mbrëmjen e sotme ndaj Partizanit, fitore kjo e ka lumturuar me të drejtë trajnerin Orges Shehi. Në prononcimin e dhënë për Over Sport, ai flet për të gjitha, përfshirë edhe sakrificen e futbollistit të tij Ismailgeci, i cili edhe pse pak përpara ndeshjes mori një lajm të keq nga familja, dha maksimumin në fushën e lojës.
“Dihet rëndësia që ka derbi. Edhe pse vuajtëm është sërish një fitore e rëndësishme. Këtu vlerësohet e gjithë situata për shpirtin e garës,. Për shpirtin e sakrificës. Falënderoj Isamjlgecin, i cili disa minuta para ndeshjes mori vesh që gjyshi i tij ndërroi jetë dhe prapë zgjodhi të luante, duke sakrifikuar, si një kapiten i vërtetë.
Në atë moment gjëja e parë ishte që pyeta sa minuta ka. Një moment mendova ta lija lojën ashtu. Gjithmonë mendimi ishte një nga sulmuesit. Hasani ishte ai që sakrifikoi dhe në fazën mbrojtëse duke u kthyer. Dhe mendimi ishte ose Xhixha ose Patrik.
Ata meritojnë komplimente në radhë të parë. Me një lojtarë mangët, me karton të kuq, arritën të gjenin forcën. Treguan personalitet, gjë që unë e kërkova. Dua që ta ndjejnë shijen e fitores, për ta parë kënaqësinë që i japim tifozëve. Duke i lëshuar terren kundërshtarit e dija që skuadra do të bënte mirë.
Kjo ndeshje iku, shpresoj të na ndihmojë. Të fitosh derbin me një lojtarë më pak, është një shtysë e madhe. I kemi dhënë sinjalet. E treguam dhe në ndeshjen me Vllazninë, ku me 10 lojtarë i kishim mundësitë për të marrë më shumë. Është një rrugë e gjatë dhe shpresoj të na shërbejë për më vonë.
Në shumicën e rasteve, kur ishim 11 me 11 luajtëm 4-3-3. Kartoni i kuq na prishi të gjithë rreshtimin. Xhixha e mori të gjithë krahun vetë. Edhe vjet ka qenë një lojtarë që na ka ndihmuar shumë. Për penalltitë ne kemi tre gjuajtës. Xhixha ishte lojtari i momentit dhe e mori ai përsipër. Për sa i përket 5-3-1, kundërshtari na kërcënoi shumë nga krahët. Na rezultoi. Jemi të kënaqur dhe unë mendoj se një derbi duhet të luhet me taktikë por në ekuilibër emocional. Dhe e vlerësoj që skuadra po e luan derbin në këtë mënyrë.
Xhixha e meriton një ftesë nga Kombëtarja. Ai ka qenë determinant. Edhe pse shërbente për Taulantin vjet, sërish ishte në formë të mirë. Njësojë është edhe këtë sezon për ne.
Nëse shkëput këmbët nga toka bëhet e dëmshme. Ishte një kundërshtar i fortë dhe pas fitores duhet ta shfrytëzojmë mirë.
Ndërsa, në lidhje me ndonjë mundësi ftese nga Kombëtarja për drejtimin e saj, Shehi thotë: “ Do të isha i nderuar nëse emri im do të qarkullonte. Vetëm kjo do të më nderonte. Edhe nëse çunat grumbullohen nga Kombëtarja, do të më nderonte”.