Teuta e Durrësit e drejtuar nga trajneri shkodran, Edi Martini, e nisi në mënyrën më të mirë ndeshjen e sotme me Laçin. Ndonëse në transfertë dhe në një fushë të vështirë si ajo e Laçit, bregdetarët e shikojnë veten në avantazh 0-2. Një rezultat shumë i favorshëm për të adminitruar takimin dhe për t’u larguar nga Laçi me tre pikë shumë të rëndësishme. Por, një gjë e tillë nuk ndodhi, sepse kurbinasit arrijnë të përmbysin gjithçka duke e fituar të gjithë ndeshjen 4-3. Një përmbysje e tillë e ka lënë të zhgënjyer trajnerin, Martini, i cili pas ndeshjes, duke folur për Over Sport, do të shprehej:
“Është e pafalshme të them të drejtën kur je duke fituar në një fushë si të Laçit, duhet të jesh i kujdesshëm, bëmë disa gabime foshnjarake tek dy golat e parë, por gjithsesi janë gjëra që ndodhin në futboll, provuam të ktheheshim në pjesën e dytë, por lodhja është evidente por duhet të ecim përpara. Kemi qenë edhe më keq në tabelë por nuk e kemi pasur problem, kjo vjen si pasojë e ngarkesës së madhe të këtyrë ditëve, djemtë kanë pësuar ndeshje pas ndeshje, kemi pasur dhe dëmtime në ekip, por arritëm të japim maksimumin tonë. Duhet të ketë edhe një lojtar tjetër, por duhet të prisni deri nesër. Do të luftojmë në të dyja frontet, edhe në Kupën e Shqipërisë sepse nuk jemi mësuar për të rënë nga kategoria. Minutat pasi shënuam golin e dytë duhet të ishim më të kujdesshëm, të ulnim ritmin e lojës, nuk mendoj se është euforia, por mbas 0-2 menduam se e fituam ndeshjen, por kështu e ka futbolli, të dënon atëherë kur ti lirohesh sadopak”.