Fitorja në transfertë me rezultatin 1-2 ndaj Tiranës kampione në fuqi e ka gëzuar trajnerin e Vllaznisë, Mirel Josa. Megjithatë, në prononcimin e dhënë pas ndeshjes, ai ka deklaruar se ka vend për të korigjuar.
“Që në fillim ndeshja kishte vështirësitë e saj, siç e patë. Bëmë një pjesë të parë të mirë, kishim pikat tona të referimit, por kam rezervat e mia kur ndeshja shkopi në rezultatin 2-0 dhe kishte edhe 15 minuta lojë në pjesën e parë, duhej të kishim goditur përsëri Tiranën me qarkullim, duhej të bënim golin e tretë. Pastaj ndeshjet këtë situatë kanë, erdhi problemi që mbetëm me 10 lojtarë pasi shënoi Tirana, në kundërsulmet tona duhej të kishim qenë shumë më të saktë, se përsëri futëm sulmues që të mos humbnim pikë referimi para. Kaina bëri punë të madhe dhe u lodh shumë, por duhej të kishim bërë më mirë.”, tha Josa fillimisht.
Në vijim, njëshi i pankinës kuqeblu, tregoi edhe nj sekret se si ka arritur ta karikojë skuadrën për t’ia rritur moralin e duhur. “Në dhomat e zhveshjes gjatë pushimit mes dy pjesëve u thashë lojtarëve:” Dijeni, që nëse do të humben pikë në këtë ndeshje sot, do t’ju vras”. Kështu ju kam thënë, pyetini çfarë u ka thënë trajneri. Shpëtuan veten e vet. E keni parasysh kur rezultati është 0-2 dhe mund të humbësh ndeshjen, na ka qëlluar që kemi humbur në minuta të fundit. Problemi është që kur nuk të kuptojnë ndonjëherë, del nga vetja jote. I përgëzoj për mënyrën se si qarkulluan në disa momente topin, por u vonuan shpesh për të vertikalizuar”, tha Josa.