Disa lëndime në javët e mëparshme e lanë jasht formacionit të parë dhe disi në hije, larg asaj që ishim mësuar ta shikonim Fjoart Jonuzin. Por, javët e fundit, dhe sidomos dy ndeshjet brenda pesë ditëve, nga e premtja në të martë, ku shënoi dy gola, ndaj Partizanit dhe sot ndaj Bylisit, e kanë rikthyer kuksianin e Vllaznisë në formën më të mirë sportive.
Duke folur pas ndeshjes së sotme, Bylis-Vllaznia, 0-2, ku goli i parë mban firmën e Jonuzit, ai shprehet i kënaqur, jo vetëm për dy fitoret radhazi, rritjen e formës sportive, por edhe për veshjen kuqeblu të Bekim Balajt.
“Jam shumë i lumtur për dy fitoret, atë kundër Partizanit në kampionat dhe këtë të sotmen ndaj Bylisit. Ishin dy ndeshje dicizive, dhe tek tjetra do shkojmë më të qetë. Balaj është një vlerë e shtuar, na jep personalitet, e kemi pritur mirë në grup. Ai do të na ndihmojë për të arritur objektivat, është e rëndësishmë të kemi vazhdimësi. Është e vërtetë që unë duhet të godasë më shumë portën. Në merkato janë shumë gjëra që nuk ecin, këtu tek Vllaznia ndjehem i respektuar, jam i kënaqur për këto tre vite që kam qenë këtu. Asnjëherë s’kemi qenë të plotë dhe prandaj kemi pasur luhatje, presim dhe Latifin që të rikuperohet. Dihet kualiteti i Balajt, por ne duhet ta ndihmojmë me pasime dhe krosime”, tha ndër të tjera, kuksiani i Vllaznisë, Fjoart Jonuzi.