Ndërkohë që në Shqipëri pritej rikthimi i tifozëve në stadium ashtu siç në fakt po ndodh edhe në kampionate të ndryshme europiane, vjen një lajm jo i mirë. Nga sa bëhet e ditur përpjekjet e FSHF-së për kthimin e tifozëve janë refuzuar. Ka qënë vetë Presidenti i FSHF-së Armand Duka që si pjesë e Komitetit të Stadiumeve dhe Sigurisë së UEFA-s ka këmbëngulur për një gjë të tillë, por pa sukses.
Mbledhja në fjalë e Komitetit të Stadiumeve dhe Sigurisë në UEFA, është zhvilluar përmes video-konferencës, ku zoti Duka ishte në cilësinë e nënkryetarit të këtij Komiteti. Takimi i sotshëm ishte shumë i rëndësishëm sepse në Komitet u bë një panoramë e plotë e situatës së 12 qyteteve ku do të zhvillohet EURO 2020, për të parë në detaje se në çfarë faze ndodhet organizimi dhe problematikat e vërejtura deri më tani.
Presidenti Duka, njëherësh anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, bëri një referim mbi gjendjen aktuale të aktiviteteve futbollistike në vendin tonë, ku theksoi se futbolli në Shqipëri ka qenë aktiv në të gjitha nivelet përtej pandemisë. Sezonin e shkuar, si pak Federata në Europë, FSHF arriti të përmbyllë rregullisht ҫdo garë kombëtare si në nivel profesionist ashtu dhe në atë amator. Duka theksoi se ka pasur një përpjekje të vazhdueshme nga Federata e Futbollit për kthimin e tifozëve në stadium edhe në masën 30%, por këto përpjekje të instititucionit të futbollit janë refuzuar nga autoritetet qeveritare.
Një pikë tjetër e rendit të ditës së Komitetit të Stadiumeve dhe Sigurisë ishte puna që po bëhet në shumë vende në lidhje me lejimin e tifozëve në stadiume, masat që janë marrë dhe kapacitetet që ka secili shtet. UEFA nga ana e saj është besimplotë se do të ketë prezencë të ndjeshme të tifozëve në EURO 2020 dhe në fund futbolli do të triumfojë së bashku me lojtarin e 12-të.