Sunday, May 19, 2024

Pikantet e Vllaznia-Egnatia/ Duamena ngushëllon Stojanoviç pas “dhuratës”, Diego Longo shfaqet në mënyrë të mistershme në Shkodër

Lexo

“Panorama Sport” ju sjell momentet pikante të ndeshjes mes Vllaznisë dhe Egnatias, e përfunduar me shifrat 0-2 për miqtë.

* Një orë para fillimit të sfidës, klubi i futbollit Vllaznia ka prezantuar edhe sponsorin zyrtar, pavarësisht se prej pesë javësh e mban prej fanellash dhe e kishte bërë me dije prej kohësh në mënyrë indirekte.

* Ndryshe nga çfarë ishim mësuar në disa prej sfidave, ku ishin mbi 4 mijë të pranishëm, dje nuk kishte një numër të madh tifozësh. Në shkallët e “Loro Boriçit” ishin rreth 2 mijë të pranishëm.

* Dy kapitenët e dy skuadrave, Balaj (5) dhe Duamena (7), janë edhe golashënuesit respektivë për skuadrat e tyre.

* Si zakonisht në ndeshjet e Vllaznisë, në stadium vihen re shumë ish-futbollistë të shkodranëve, por ajo që tërheq më së shumti vëmendje dhe të krijon shumë ide në kokë, është prania e Diego Longos. Ish-trajneri kthehet në “vendngjarje”, ku pas humbjes me Vllazninë 2-0 javën e shkuar, u largua nga stoli i Teutës.

* Në të 5-ën minutë tekniku Memelli e ka me Grudën, duke i kërkuar sulmuesit që të jetë më i saktë në topat e kthyer në drejtim të mbrojtjes.

* Pas vetëm shtatë minutash lojë ka një acarim të panevojshëm mes Krymit e Zejnullait në mesin e fushës, por është gjyqtari kryesor, që vendos qetësinë.

* Pas vetëm 16 minutash lojë, tifozët shkodranë përballen me zhgënjimin e parë, duke parë që skuadra e tyre të mbetet me 10 lojtarë. Dragoshi lë fushën me karton të kuq. Pas këtij momenti, pankina kuqeblu është mjaft protestuese në çdo episod. Fillimisht ka një bërryl ndaj Boshnjakut, por gjithçka kalon pa masë ndëshkuese. Më pas një ndërhyrje e Zejnullait ndez edhe tifozët kuqeblu.

* Ideal Lekiqi, trajneri i portierëve të Vllaznisë, e ka inatin me Aleksin. Ai dhe mesfushori i rrogozhinasve konfliktohen në distancë dhe duhet ndërhyrja e të tjerëve që të mos kapen fizikisht mes tyre. Siç dihet, të dy janë persona me temperament mjaft të zjarrtë.

* Në momentin e zëvendësimit të Spahiut nuk mund të mungojnë vërshëllimat e tifozëve. Ishte pikërisht ish-lojtari i Laçit, që ishte në atë dyluftim me Dragoshin dhe arriti t’i marrë një karton të kuq, që ua bëri ndeshjen më të lehtë të tijve. Gjithashtu, publiku nuk pajtohet edhe me veprime të tjera të tij në fushë.

* Vllaznia del zbuluar në mbrojtje dhe pas një gabimi të Stojanoviçit pëson edhe golin e dytë. Në këtë moment Esat Mala duket shumë i irrituar me shokët e skuadrës.

* Alivoda pëson një dëmtim. Sinjalet e para tregojnë për një tërheqje muskulore. Një dhimbje koke më shumë për Vllazninë.

* Në fund të ndeshjes Duamena bën një gjest shumë fisnik dhe njerëzor. Sulmuesi ganez nuk hyn në dhomat e zhveshjes me ekipin, por për shumë minuta ka pritur që Stojanoviç të duket në hollin e stadiumit. Qëllimi? Serbi humbi atë top, që i dha shansin Duamenës të shënonte dhe ganezi kërkonte të ngushëllonte serbin. E bëri këtë me një përqafim mjaft të sinqertë.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img