“Panorama Sport” ju sjell pikantet e ndeshjes Partizani-BATE Borisov, e cila u ndoq direkt në stadium nga 6365 tifozë, aq sa ishte dhe numri i raportuar i biletave në këtë përballje. Në një ditë vere kur pushimet janë kryefjala, nuk është aspak një numër i keq.
*Trajneri Zoran Zekiç del në fushë pas dy portierëve Hoxha e Qirko. Përveç taktikave, trajneri ka menduar edhe për pamjen e tij, duke veshur një këmishe të bardhë, të kombinuar me atlete me të njëjtën ngjyrë. Që nga zbarkimi në fushë, trajnerin nuk e zë vendi dhe qarkullon nëpër fushë. Në fund të sfidës shprehet: “Kam bërë 8 mijë hapa”.
*Më të zbritur skuadra në fushë, nis edhe spektakli i tifozëve. Lojtarët marrin dashurinë dhe mbështetjen e nevojshme para sfidës nga ana e tifozëve të pranishëm, që kanë qenë mjaft të zjarrtë thuajse gjatë gjithë sfidës.
*Bruno Telushi duket se nuk ka arritur të bëhet gati në një kohë me shokët dhe del i fundit në nxehje. Gjithsesi, ai e nisi nga stoli këtë ndeshje dhe kjo nuk ishte gjëja më e rëndësishme në atë moment.
*Orges Shehi nuk e humbet rastin për të parë ndeshjen e parë të kundërshtarëve për këtë sezon. Ai zgjedh ta ndjekë sfidën në një nga kafenetë e stadiumit me pamje nga fusha.
*Ish-drejtori sportiv i Partizanit, Elton Marini, gjithashtu zgjedh të mos mungojë në këtë ndeshje. Ai takon drejtuesit e kuq të pranishëm në tribunë dhe këshilltarin e presidentit Demi, Pano Xhixho. Për të parë këtë ndeshje është i pranishëm edhe Endri Çekiçi.