Ndonëse kanë përballë një skuadër të kategorisë parë, kuqeblutë e Vllaznisë do të luajnë sot përballë Pogradecit në stadiumin “Gjorgji Kyçyku”, me formacionin e parë. Është ky një vlerësim maksimal që i është bërë kësaj ndeshje, prej cilës kërkojnë të marrin më të mirën e mundshme duke dashur ta zgjidhin që në takimin e parë çështjen e kualifikimit.
Duket se përvoja jo e mirë që kaluan në turin e parë në përballjen me Labërinë e Vlorës, ku humbën takimin e parë në transfertë, dhe me vështirësi, vetëm në dhjetë minutat e fundit të ndeshjes në Shkodër u zgjidhë çështja e kualifikimit, ka bërë që stafi të jetë shumë i vemendshëm në këtë tur.
Nëse në ndeshjen e parë ndaj Labërisë në fushë për Vllazninë ishte formacioni i dytë, sot ndaj Pogradecit do të jetë e kundërta. Nga sa bëhet e ditur, kuqeblutë do ta nisin lojën me titullarët kryesorë që kanë në dispozicion, ndërkohë që në varësi të rezultatit, nëse ai do të jetë optimal me shifra pozitiv në favor të Vllaznisë, Brdariç do t’i japë hapësirat e duhura lojtarëve të stolit. Hapësira këto, që pritet të jenë edhe më të mëdha në ndeshjen e kthimit në “Loro Boriçi” për lojtarët e stolit, gjithnjë nëse ndeshja e sotme në Pogradec do të mbyllet me një fitore të pastër, gjë që avantazhon kualifikimin në ndeshjen e kthimit pas dy javësh në shtëpi.