Mjeshtri i njohur i futbollit shkodran, Hysen Zmijani, i cili prej disa vitesh shërben në zyrën rajonale të FSHF-së në Shkodër, i ka ndjekur të dyja ndeshjet e Vllaznisë së turit të parë Conference League. Fillimisht, ai ishte pjesë e delegacionit sportiv shkodran që udhëtoi në Belfast duke ndjekur prej së afërmi sfidën e parë në stadiumin Ëindsor Park të Irlandës së Veriut, ku pas kësaj ndeshje ishte kritik ndaj lojës së Vllaznisë dhe sidomos disa individëve të repartit të prapavijës, të cilët shfaqen dobësi të theksuara në fushën e lojës.
Ndërkohë, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, legjenda e futbollit shkodran, që ka edhe titullin “Mjeshtër i Madh”, ka analizuar eliminimin e Vllaznisë nga Liga e Konferencës, si dhe atë që i mungon skuadrës kuqeblu në prag të startit të kampionatit. Zmijani u ka bërë apel drejtuesve të klubit se duhet të sakrifikojnë patjetër për të afruar në skuadër një lojtar tipik numër 10, pikërisht një fantazist që mund të rregullojë lojën sulmuese të shkodranëve.
“Natyrisht që të vjen keq që Vllaznia nuk arriti të kualifikohej në turin e dytë të Conferenc League, pasi mendoj që skuadra kuqeblu kishte përballë një skuadër më të dobët se vetë ajo. Një skuadër që ishte bërë profesioniste vetëm 2 vite më parë, por që kishte profesionalizëm vetëm në vonesën e lojës. Nga ajo që pashë, portieri dhe disa lojtarë, për më shumë se 15 minuta gjatë ndeshjes, menduan vetëm si të vononin lojën dhe ulur ritmin e Vllaznisë. Ndërsa nga ana tjetër, Vllaznia m’u duk një skuadër me grintë dhe dëshirë, por që në sulm nuk shkonte me një qartësi për të gjetur golin. Madje edhe goli që u shënua, ishte rrjedhojë e një harkimi shumë të bukur dhe një goditjeje perfekte e Balës me kokë.”, tha fillimisht Zmijani.
Sa i takon vazhdimësisë, Zmijani mendon se Vllaznisë i duhet ai lojtari me numrin 10-të, pikërisht aty duhet kërkuar në merkato. “Drejtuesit, ndoshta edhe financiarisht duket që të sakrifikojnë për të sjellë lojtarë cilësorë për të bërë diferencën dhe jo për të plotësuar organikën.”, u shpreh ndër të tjera, mjeshtri i njohur, Hysen Zmijani.