Përfaqësuesja e Kosovës ka zhvilluar stërvitjen e radhës para ndeshjes të së martës kundër Zvicrës, e cila luhet nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të sfidës së fundit kualifikuese për Kupën e Botës 2026.
Pas fitores 2:0 ndaj Sllovenisë të shtunën në Lubjanë, Kosova e ka siguruar pozitën e dytë në Grupin B dhe njëherësh biletën për ‘play-off’ të Kupës së Botës 2026. Madje, matematikisht Kosova ende është me gjasa për kualifikim direkt në Botëror, por për këtë i duhet një mrekulli, pasi duhet fitorja me rezultat 6:0 ndaj kombëtares helvetike.
Të gjithë futbollistët janë të gatshëm dhe në dispozicion të përzgjedhësit Franco Foda, i cili në stërvitjen e sotme ka punuar në detaje taktike.
Foda në konferencë për media pas stërvitjes u shpreh se fokusi kryesor i ekipit është paraqitja dinjitoze ndaj Zvicrës, për të dëshmuar se humbja 4:0 në Bazel, nuk ishte fytyra e vërtetë e Kosovës.
“U kam thënë futbollistëve që gjëja më e rëndësishme është që nesër të luajmë mirë sepse në Zvicër nuk e kemi treguar fytyrën tonë të vërtetë. Prandaj, nesër do të bëjmë gjithçka për ta fituar ndeshjen. Sigurisht se në teori shumë gjëra janë të mundshme. Në futboll shpesh ndodhin edhe mrekulli, por nëse vlerëson realisht Zvicra ka luajtur në mënyrë shumë konstante gjatë këtyre kualifikimeve dhe në këtë kuptim të përmbysësh një rezultat 6:0 është e pamundur”, ka theksuar Foda.
Ai ka thënë se në ndeshjen e nesërme do të jetë shumë e rëndësishme se si do të paraqitet ekipi në fushë.
“Luajmë në shtëpi para tifozëve tanë. Ka një eufori të madhe në vend, sidomos pas ndeshjeve të fundit. Për ne është jashtëzakonisht e rëndësishme që të bëjmë gjithçka për ta fituar këtë ndeshje. Dhe sigurisht kur e mendon që në këtë grup me Suedinë, Slloveninë dhe Zvicrën, një xhiro para fundit ne e kemi siguruar ‘play-off’-in kjo flet shumë për ekipinë tonë. Kemi treguar paraqitje shumë të mira përveç ndeshjes së parë në Zvicër”, shtoi Foda.
Ndonëse Kosova ka arritur sukses historik me sigurimin e ‘play-off’-it, Foda thotë se festa e madhe do të bëhet vetëm në rast të kualifikimit në Botëror.
“E kam thënë edhe më herët se për mua ka arsye për festë vetëm atëherë kur përmes ndeshjeve të ‘play-off’-it arrijmë të kualifikohemi në Kupën e Botës. Atëherë mund të themi me plot të drejtë se kemi shkruar një histori të madhe”, tha Foda.



