Tuesday, December 10, 2024

Prag ndeshjet europiane ndaj Armenisë dhe Rumanisë, trajneri i kombëtares U-21, Alban Bushi U-21, optimist për rezultat pozitiv

Lexo

Kombëtarja shqiptare U-21 nis të shtunën e 2 shtatorit grumbullimin në Stamboll dhe përgatitjet zyrtare për kualifikueset e Kampionatit Europian 2025 për këtë grupmoshë. Ftesa nga trajneri i Shpresave, Alban Bushi u ka shkuar plot 23 lojtarëve të kësaj grupmoshe, të cilët do të nisin rrugëtimin për një vend në finalet e ‘EURO 2025’ në transfertën e Armenisë më 8 shtator, e më pas do të presin Rumaninë në ‘Elbasan Arena’ më 12 shtator.

Trajneri i kuqezinjve, Alban Bushi doli këtë të enjte në një konferencë zyrtare për mediat nga ‘Shtëpia e Futbollit’, ku foli për listën e 23 lojtarëve të thirrur prej tij, duke vlerësuar cilësitë e tyre. Objektivi është kualifikimi në ‘EURO 2025’ me këtë skuadër, ndërsa tekniku shqiptar shtoi se në ekip ka shumë optimizëm dhe se kuqezinjtë do të japin maksimumin në këto dy takime të rëndësishme.

10 lojtarët e thirrur nga kampionati shqiptar – Futbolli është i çuditshëm sepse ndryshon shpejt, si për mirë, ashtu edhe për keq. Ashtu edhe për afrimin e lojtarëve. Kemi pasur lojtarë që nuk kishim ndërmend t’i ftonim, por kanë bërë mirë në kampionat dhe i kemi marrë. Disa lojtarë kanë ardhur nga jashtë, si Dajko dhe Mjaki që janë pjesë e Laçit dhe që janë lojtarë shumë cilësorë dhe mendoj se do të na shërbejnë shumë për ekipin. Por edhe lojtarët e tjerë si Buxhelaj dhe Preka do të doja të kishin më shumë minuta. Nuk kanë marrë shumë minuta dhe do të shohim gjendjen e tyre.

Koment për lojtarët e ekipit Shpresa që bëhen pjesë e Kombëtares A – Të gjitha ekipet e moshave, nga U-15 tek U-21 punojmë për ekipin A. Ndihemi mirë kur një lojtar i Shpresave shkon lart. Kemi edhe ne pretendimet tona si ekip për të pasur rezultate, pasi janë lojtarë që na ndihmojnë shumë. Jemi te kënaqur që Bajrami dhe Simoni janë pjesë e ekipit U-21 për këto dy ndeshje. Janë lojtarë shumë të mirë dhe cilësorë, të cilët mund të bëhen sërish pjesë e ekipit A, pasi kanë shumë cilësi. Por edhe lojtarë të tjerë që kemi afruar, si Enis Asani, i cili vjen për herë të parë në ekipin U-21 dhe luan me ekipin e Thun-it në Zvicër, ka shumë cilësi dhe mund t’i shërbejë ekipit A në të ardhmen. Por edhe lojtarët e tjerë do të na shërbejnë në këto dy ndeshje, që janë shumë të rëndësishme për ne dhe që ne i kemi përgatitur shumë mirë. Kemi qenë gjithë kohës duke i monitoruar lojtarët tanë. Duhet të bëjmë mirë në këto ndeshje. E dimë që armenët janë të fortë në fushën e tyre, janë shumë agresivë. Duhet të ndjekim një strategji tjetër, jo si ajo me Bullgarinë. Nuk kemi 4-5 lojtarë që i kishim titullarë me Bullgarinë, si Gjini, i cili ende nuk ka gjetur ekip, Civeja, që për arsye të pashaportës nuk do të jetë me ne këtë radhë. Edhe Leandro Frroku nuk do të jetë në këtë grumbullim për shkak të një problemi shëndetësor.

I gatshëm për të çuar lojtarë në ekipin A nëse do të duhen? – Mendoj që Shqipëria ka ardhur në një nivel shumë të mirë, pasi ka shumë lojtarë. Shqipëria ka dy ndeshje shumë të rëndësishme kundër Çekisë dhe Polonisë. Trajneri Silvinjo e di se kush lojtarë i duhen. Ka një listë shumë të madhe me lojtarët. Ne jemi të gatshëm që të çojmë çdo lojtar në ekipin e parë në çdo moment.

Shanset për t’u kualifikuar në Kampionatin Europian ‘EURO 2025’ – Ne gjithmonë e kërkojmë kualifikimin. Gjithmonë e kërkojmë fitoren, pavarësisht se jemi Shqipëria. Jemi ekip modest, në krahasim me kundërshtarët. Por kemi bërë mirë. Sidomos në ndeshjen e fundit kundër Bullgarisë, jemi bërë optimistë. Kemi bërë lojë të bukur, gola, kemi krijuar edhe raste, shpresoj që të vazhdojmë kështu. Ekipi ka shumë besim që do të marrim rezultat pozitiv në këto dy ndeshje, unë kam shumë besim. Stafi gjithashtu. Kemi optimizëm. Do shkojmë të bëjmë më të mirën në Armeni. E dimë se kush është Armenia, pavarësisht se është një ekip më i dobët në letër. Por mendoj se nuk ka më ekipe të dobëta. Nëse nuk mobilizohesh, nuk jep maksimumin dhe nuk sakrifikon, atëherë çdo ekip bëhet problem. Mendoj që do të bëjmë shumë mirë në Armeni, gjithashtu edhe me Rumaninë këtu.

Shanset për 6 pikë të plota – E thashë që futbolli është i çuditshëm, por sigurisht ne me atë synim do të hyjmë në të  dyja ndeshjet. Kemi dy sfida nga të cilat presim shumë, luajmë me Armeninë që është më e dobët se ne në letër, por edhe me Rumaninë luajmë në shtëpi dhe do të mundohemi të marrim pikët maksimale. Ky është një grup shumë i ekuilibruar, shumë i fortë. Është mirë për ne sepse në këtë grup çdo ekip mund t’i marrë pikë njëra-tjetrës, mund të ketë edhe shumë barazime. Kjo mendoj se na favorizon pak të gjithëve, por sigurisht ne bëmë llogaritë tona. Kam menduar gjithmonë se grupi është shumë i ekuilibruar, mund të ketë shumë barazime dhe nëse marrim dy fitore që në nisje mund të shkëputemi nga kundërshtarët e tjerë.

A ka tek U-21 një pasues të Brojës?  – Ka lojtarë shumë cilësorë te skuadra U-21, pata thënë para një viti për Pajazitin që do të jetë lojtar shumë i mirë. Më ngjan pak me stilin e Demollarit, por edhe ka pasur pak ulje-ngritje, akoma nuk është stabilizuar 100%, por ka shumë cilësi të mira dhe mendoj që do të bëhet një lojtar i madh për Kombëtaren A, por gjithashtu ka edhe elementë të tjerë. Mund të përmend Arda Kurtulan, Arlind Rexhepi, Medon Berisha apo edhe të tjerë, të cilët mund të jenë potencial për Kombëtaren A. Po të shohësh edhe Kombëtaren A në këto momente ka shumë lojtarë që kanë ardhur aty përmes ekipit U-21. Edhe Ramadani për shembull, i cili ka qenë lojtar i thjeshtë dikur ka ndryshuar shumë pozitivisht në mënyrën e tij të lojës, rikuperim topash, pasime vertikale, ka pasur një rritje të jashtëzakonshme. Dikush thoshte që nuk mund të bëhet lojtar i madh, por ja që ai arriti deri në Serie A duke punuar. Unë mendoj që këta lojtarë që përmenda, nëse nuk punojnë siç duhet është e vështirë të arrijnë majat, por ata e kanë kapacitetin dhe potencialin për t’u bërë lojtarë të mëdhenj. Nëse punojnë në shembullin e Ramadanit, i cili nuk ka pasur fillimisht ndonjë potencial të madh kur ishte te Partizani, por ja që me punë ai arriti gjithçka.

Simoni & minutat e portierëve – Patjetër që po, Simoni është nga talentet premtuese dhe këtë e ka treguar edhe te Eintracht Fankfurti, një ekip me histori dhe cilësi të madhe që merr një lojtarë nga Shqipëria në moshë të goxha të re, ata kanë parë diçka tek ai, e ka marrë një nga skautët më të mëdhenj në Europë sot, sa i përket portierëve. Mendoj që do të ketë një të ardhme të madhe, por sigurisht është në dorën e tij dhe sa i gatshëm është të punojë shumë për t’u zhvilluar. Sa i përket minutave të portierëve, sigurisht që mungesa e tyre është gjithmonë problem, edhe tek U-21 lojtarët nuk është së kanë pasur shumë minuta, por nuk dua ta mendoj shumë këtë problem

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img