Wednesday, July 23, 2025

Prag Vllaznia-Vikingur. Dëmtimet e Qatos dhe Krymit, shqetësojnë teknikun Martini. Kuqeblutë të karikuar për rezultat pozitiv në sfidën e parë të së enjtes në “Loro Boriçi”

Lexo

Vllaznia ka vijuar me përgatitjet stërvitore në kuadër të ndeshjeve të turit të dytë të “Conference League”. Shkodranët do të jenë në një përballje dyshe ndaj islandezëve të Vikingur, me duelin e parë që luhet në Shkodër këtë të enjte dhe takimin e kthimit një javë më pas në ishullin islandez. Por, përpara këtij dueli ndaj skandinavëve janë dy futbollistë që shqetësojnë te Vllaznia. Fjala është për Ardit Krymin dhe Klinti Qaton, me dy mesfushorët që kanë disa probleme fizike të mbartura që nga ndeshjet ndaj Daugavpils. Për Krymin seancat stërvitore të zhvilluara në këtë fillimjavë nuk kanë qenë të plota. Me 29- vjeçarin që kryesisht ka zhvilluar vrapime në grup e po ashtu individuale. Duke mos u përfshirë në lojërat me top apo vendosjet taktike të aplikuara nga trajneri Martini. Megjithatë, për zëvendëskapitenin e shkodranëve duket se do të ketë një sakrificë. Ku numri “6” do të “shtrëngojë dhëmbët” dhe do të jetë në fushën e lojës. Ashtu siç bëri edhe në ndeshjen e kthimit ndaj Daugavpils, ku pavarësisht formës jo në 100%, ishte në fushën e lojës për të dhënë kontributin e tij për kualifikimin e kuqebluve.

Situata duket disi më e komplikuar ndërkohë për Klinti Qaton. Mesfushori nga Kuçova ka munguar në seancat stërvitore të kësaj fillimjave, duke ngritur shumë dyshimet se mund të jetë i gatshëm për sfidën e radhës. Me trajnerin Martini që duhet t’i bëjë llogaritë në fushë pa praninë e ishfutbollistit të Laçit, i cili absolutisht është një nga pikat e forta të formacionit të 9 herë kampionëve të vendit, falë grintës dhe shpirtit të garës që paraqet. Për të dy lojtarët, një vendim përfundimtar për aktivizimin apo jo të tyre do të merret vetëm në orët e fundit para sfidës, ku për Martinin dhe stafin e tij do të jetë një “dhimbje koke” për të hartuar një formacion pa dy mesfushorët titullarë të skuadrës.

ARMA PLUS – “Në ndeshjen e turit të parë të Conference League, për shkak të një “gjullurdie” mes klubit Vllaznia dhe Bashkisë Shkodër, 9 herë kampionët e vendit tanë nuk arritën të luanin në “Loro Boriçi”, duke u zhvendosur kështu në “Elbasan Arena” në duelin ku priti letonezët e Dugavpils. Por, tashmë të kualifikuar në turin e dytë të kompeticioneve europiane, shkodranët do të rikthehen të luajnë në “fortesën” dhe shtëpinë e tyre historike. Pasi ndeshja me Vikingur është e konfirmuar që do të luhet në kryeqendrën e veriut të vendit tonë. Në këtë mënyrë, pavarësisht se shkalla e vështirësisë ndaj islandezëve do të jetë shumë më e lartë se ajo ndaj Daugavpils, kuqeblutë do të kenë një “armë” shtesë.

Ata do të jenë tifozët e zjarrtë që si gjithmonë janë të pranishëm për të mbështetur skuadrën e tyre të zemrës, ku sipas asaj çfarë mëson gazeta dhe bëhet e ditur edhe në rrjetet sociale, grupim i ultrasve ka filluar menjëherë përgatitjet. Kjo për të krijuar një atmosferë sa më të “zjarrtë” në shkallët e “Loro Boriçit” për Vllazninë. E nga ana tjetër, për të vënë ndoshta në “presion” disi edhe kundërshtarët ishullorë. Tashmë tifozët shkodranë që njihen për mbështetjen dhe dashurinë e tyre për futbollin, nuk do të privohen për ta ndjekur ndeshjen nga shkallët e impiantit, ku ditën e enjte pritet një numër i konsiderueshëm prej tyre në “Loro Boriçi”, me Vllazninë që luan ndeshjen e parë zyrtare për sezonin 2025-‘26 para tifozerisë dhe qytetit të saj.

Endri ÇINARI-Panorama Sport

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img