Në prag të ndeshjes me Vllazninë, e vlefshme për turin gjysëmfinal të Kupës së Shqipërisë, Partizani ka mbërritur në pasditen e së martës në qytetin verior duke u akomoduar në një nga hotelet në qëndër të qytetit të Shkodrës.
I shoqëruar nga zëdhënësi i shtypit i KF Partizani, Olsi Ranxhi, trajneri i Partizanit, Dritan Mehmeti është shprehur optimist në konferencën për shtyp, duke deklaruar objektivin e kualifikimit në finalen e Kupës së Shqipërisë.
“Skuadra është stërvitur me entuziazëm, plus edhe faktori që jemi stërvitur gjatë kësaj kohe në shtëpinë tonë, që i ka munguar prej shumë viteve. Kjo është meritë e presidentit Demi, sepse është një investim privat dhe kolosal që do t’i shërbejë brezave të Partizanit. Në këtë situatë ta kuptojnë të gjithë se sa të rëndësishme janë rezultatet pozitive në një moment historik për klubin.
Një nga faktorët kryesor që kjo skuadër tregon personalitet është në situatat që ekipi është në disavantazh ose në situata të vështira di të reagojë. Ky është një faktor që skuadra me stafin ka punuar shumë për të treguar personalitetin e duhur dhe të fokusohemi për t’u përmirësuar dhe ta vlerësojmë klubin ku bëjmë pjesë.
Duke pasur parasysh të gjitha faktorët, mendoj se një stadium i tillë është një kënaqësi të luash. Mendoj që do të jetë një ndeshje që do të ketë dhe tensionin brenda, për sa i përket mënyrës se si do ta perceptojnë lojtarët. Mendoj se miti jashtë fushës ka rënë edhe që arena e Shkodrës do të jetë një kënaqësi. Të dyja skuadrat do të nisen të barabarta. Do të fitojë më i miri.
Mendoj që do të jetë një histori tjetër, edhe pse kemi barazuar ndeshjen e parë. Është një stadium që të dhuron emocione të veçantë. Mendoj se edhe tifozeria jonë do të jetë në stadium. Nuk do të jemi vetëm. Do të përgatitemi në çdo detaj. Kemi humbur penallti, por edhe lojtarë të klasit botëror kanë humbur shumë herë. Unë mendoj se penalltia është psikologjike dhe mendoj se këta lojtarë që i kanë humbur mund t’i realizojnë me Shkodrën nëse shkon deri aty.”, është shprehur tekniku Mehmeti, në prag të ndeshjes me Vllazninë, për gjysëmfinalen e dytë të Kupës së Shqipërisë.