Proçesi i privatizimit të KF Vllaznia tashmë është një realitet i prekshëm për opinionin sportiv shkodran dhe më gjerë. Ajo që tifozëria shkodrane e kërkonte prej vitesh duket se po shkon drejt përfundimit. Lajmi më i mirë ishte ai i së premtes së kaluar kur Këshilli Bashkiak Shkodër miratoi projektvendimin e Bashkisë për privatizimin e KF Vllaznia në masën 100 %. Ndërkohë që tani, krahas sponsorit Alban Xhaferi, i cili prej kohësh e ka shpalosur publikisht interesin për privatizimin e Vllaznisë, në skenë kanë filluar të dalin edhe emra të tjerë. Në fakt, në Shkodër, dhe më gjërë qarkullojnë jo pak emra kandidatë për të blerë aksionet tek Vllaznia, por i pari që e ka marrë nismën të shpallë kandidaturën e pjesëmarrjes në ankand është ish presidenti Valter Fushaj, personi që e ka drejtuar Vllazninë për 8 vite me radhë, 5 në cilësinë e presidentit të vetëm, dhe 3 vite si zëvendëspresident. Një gjë të tillë ai e ka bërë zyrtarisht nga salla e konferencave të shtypit të Hotel Colosseot, pjesë e kompanisë së biznesit që ai administron. Një konferencë, që në fakt pati interesin e madh të mediave, jo vetem lokale, por edhe atyre kombëtare. “Dal para jush, sepse shoh që ka interes se nëse dua ose jo të jem pjesë e privatizimit. Kam interes dhe mendoj se privatizimi është një suksės pavarësisht se është me vonesë. E kam kërkuar edhe unë përpara, por më mirë vonë se kurrē. Mendoj se nuk duhet të shihet në aspektin financiar. Duhet të jenë të vëmendshëm për ata që do e blejnë, për atë ose ata që do jenë bashkë për ta blerë. Duhet parë personi që do marrë këtë vlerë për qytetin pasi ka vlerë të madhe për tifozerinë.”-është shprehur zoti Fushaj në fillim të prononcimit të tij.
Për Fushajn, është e rëndësishme që proçesi i organizimit të ankandit të jetë sa më transparent si dhe të zbatohen të drejtat për personat që shprehin interes ku sipas projektlìgjit të miratuar këtë vit duhet të shikohen si të favorizuara edhe kompanitë që kanë kontribuar më herët për Vllazninë. Në vijim, ai pranoi se është i gatshēm të bashkëpunoj edhe me donator të tjerë, por duke përjashtuar ato që e përdorin klubin për interesa politike, madje nuk ka hezituar të deklarojë se nëse do të konstatojë raste të tilla, ai do t’i bëjë publike.
Sa i përket aksioneve që ai mund të ketë interesin për të blerë, Fushaj i tha gazetarëve që një gjë të tillë do ta vendosë në vazhdimësi të proçesit, por ndërkohë ekspozoi edhe shifrën e 70 përqindëshit, që do të thotë se ai pretendon të marrë pozicionin e vendimarrësit në aksione.
Në vijim, Fushaj pranoi se ka pasur biseda edhe me ish kolegët e presidencës së Vllaznisë, mes të cilëve futen Agron Çela, Xhevdet Amuli, Flamur Hoxha, etj, të cilët kanë kontribuar financiarisht për klubin kuqeblu, për të cilët bëri të ditur se edhe ato janë të interesuar dhe kanë të drejtën e tyre për të qënë pjesë e këtij proçesi.
Ndërkohë, vendìmin me ngutë të Këshillit Bashkiak për miratimin e 100 përqind të shifrës së aksioneve të Vllaznisë, Fushaj nuk e ka pritur mirë, pasi sipas tij, duhet pritur të dalë fillimisht projektlìgji i privatizìmit nga Qeveria dhe më pas të fillojnë procedurat në fjalë. Në bashkëpunim me gazetarët shkodranë, Fushaj preku edhe Vllazninë aktuale të sezonit 2020-2021, ku sipas tij në përbërje të saj dominojnë të huajt dhe ka vetëm 3 lojtarë shkodranë. Ndërkohë që kishte kritika edhe për sektorin e Akademisë Vllaznia, që sipas tij duhet një riorganizim tjetër, duke pasur një bashkëpunim me të gjitha ekipet zinxhir të Shkodrës, ku numri i fëmijëve që aktivizohen shkon në rreth 1200 të tillë.
Gaspër MARKU