Friday, October 11, 2024

Ankandi i shitjes së Vllaznisë, në skenë del edhe kompania “Kastrati”

Lexo

Privatizimi 100% i aksioneve të KF Vllaznia, si dhe emrat që pritet të marrin pjesë në ankand, ka marrë një vemendje maksimale në qytetin verior. Shkodranët janë të interesuar të dinë se kush janë emrat që mund të garojnë për blerjen e aksioneve. Njëri prej tyre, sponsori aktual i kuqebluve, Alban Xhaferi, është vetëdeklaruar si kandidat për përfshirjen në këtë process, madje kërkesat e tij të vazhdueshme drejtuar Bashkisë Shkodër, ndoshta mund të jenë bërë shtysë në lidhje me përshpejtimin e fillimit të këtij proçesi, i cili realisht kërkohet prej shumë vitesh, jo vetem nga fusha e biznesit, por edhe nga tifozëria kuqeblu.

Krahas Xhaferit, mesditen e sotme bëri publik interesimin për këtë proçes edhe ish presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj, përvoja e të cilit në administrimin e Vllaznisë përmblidhet në harkun kohor të 8 viteve, 5 si president dhe 3 si zv.president. Ndërkohë, përpos dyshes, Xhaferi-Fushaj, kanë filluar të dalin në skenë edhe emra të tjerë të interesuarish. Vetë Fushaj, gjatë konferencës për shtyp dhënë sot me gazetarët shkodranë, përmendi edhe kolegët e tij me të cilët ka kontribuar në vitet e angazhimit në krye të Vllaznisë. Por, ndërkohë, analisti i sportit dhe njëkohësisht juristi dhe avokati i njohur shkodran, Apollon Haxhi, konfirmoi interesimin edhe të tjerëve me emra konkret. Gjatë emisionit “Studio Sport” në RTSH Shkodra, ku ai ishte i ftuar mesditen e sotme, avokat Haxhi, përmendi emrat e ish presidentit të Vllaznisë, Agron Çela, zëvendëspresidenti Xhevdet Amuli, antarit të kryesisë Flamur Hoxha, të cilët si ish kontribues financiar në futbollin shkodran janë të interesuar për të qënë pjesë e ankandit për blerjen e aksioneve të Vllaznisë. Por, përpos tyre, Haxhi përmendi një kompani tjetër të njohur të biznesit shqiptar, atë “Kastrati”, që në fakt, vite më parë pati shfaqur interes për Vllazninë, por më tej nuk dihen arsyet se përse ai u pat tërhequr nga pretendimet e tij.

“Rasti Fushaj, tregon se ka interes për ankand dhe që shitja e aksioneve do të mundësohet patjetër. Them se do të ketë interes për të blerë Vllazninë, ku sipas informacionit që kam, përpos Fushajt, si dhe grupit të ish presidentëve të mëparshëm, si Agron Çela, Xhevdet Amuli, Flamur Hoxha, etj, ka edhe emra të tjerë për privatizimin e Vllaznisë, jo vetëm në Shkodër, por edhe jashtë saj, me emra të tjerë, madje edhe me firma të mëdha private. Flitet për Kastratin, apo edhe firma të tjera të njohura, për të cilat Bashkia duhet të jetë në dijeni për alternativat në fjalë, sepse patjetër aty duhet të kenë ardhë informacione rreth këtij procesi.”-tha avokat Haxhi në emisionin sportive të RTSH Shkodrës.

Dhe, më pas vijoi: “Sa më shumë alternativa të ketë, aq më shumë rritet vlera e shitjes së klubit, të ardhura këto që i shkojnë Bashkisë për t’i shfrytëzuar në investimet për qytetin dhe për taksapaguesit shkodranë, por në të njëjtën kohë për t’i shfrytëzuar edhe në zhvillimin e politikave të sportit, kryesisht për mjedise të reja sportive, aq shumë të nevojshme për qytetin. Kjo vetëm mirë i bën Vllaznisë, sepse rritë edhe anën financiare, që nga 500 mijë euro që është aktualisht vlera fillestare për të filluar ankandi, ajo fillon dhe rritet, gjë që është shumë pozitive për të ardhurat e Bashkisë nga kjo shitje..”, theksoi Haxhi.

Procedurat

Duke folur për procedurat se si mund të organizohet ankandi, Haxhi tha se “ka Ankand me procedurë të hapur, apo ankand me përzgjedhje blerësish dhe se këtë e ka bashkia në dorë që të vendosë mënyrën se si do të veprohet.”

Sipas avokat Haxhit, në ligjin për sportin është përcaktuar edhe mënyra se si do të kryehet procesi i privatizimit. Ekipet që kanë qenë pjesë e organeve qëndrore të nomenklaturës së ministrive, si Partizani psh, i privatizojnë ministritë përkatëse, ndëkohë që ato ekipe që janë pjesë e qeverisjeve vendore, i privatizojnë vetë organet e tyre. “Në këtë rast është Bashkia Shkodër që ka të drejtën të udhëheqë këtë proces drejt privatizimit të plotë, alternativë që mund të ishte edhe Ministria e Financave ka rënë poshtë me ligjin e ri. Me miratimin e projektvendimit për privatizimin 100 përqind të aksioneve të Vllaznisë, Këshilli Bashkiak e ka mbyllur kapitullin e tij për këtë çështje, tashmë në lojë është vetëm Bashkia.”, tha Haxhi. Ndërkohë, ai bëri të ditur, se pjesë e këtij proçesi është edhe prefektura Shkodër.

“Prefektuara Shkodër ka të drejtën sipas ligjit për ta miratuar aktin në fjalë, në një farë mënyrë siç është raporti i Parlamentit me Presidentin e Republikës. Në momentin që kalon edhe tek Prefektura, nuk ka punë më asnjë organ tjetër, por vetëm Bashkia me organet e saj ekzekutive.”, nënvizoi avokati Apoloon Haxhi.

Sipas juristit Haxhi, në ankandin e shitjes së Vllaznisë nuk përfshihen fare stadiumi “Loro Boriçi”, fusha sportive “Reshit Rusi” dhe ambiente të tjera të infrastrukturës sportive të qytetit, ato mbeten të Bashkisë dhe aksionierët mund t’i shfrytëzojnë këto ambiente bazuar në kontratat përkatëse që do të lidhin me Bashkinë.

Gaspër MARKU

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img