Tuesday, April 23, 2024

Problematika e zgjedhjeve në Shoqatën Rajonale të Tiranës, kandidati Eduard Prodani i dërgon letër FIFA-s

Lexo

Eduard Prodani, ish-sekretari i përgjithshëm  i Federatës Shqiptare të Futbolli, i cili ishte kandidat për kreun e Shoqatës së Futbollit të Tiranës dhe i braktisi këto zgjedhje, pasi, sipas tij, ishin manipuluar listat, i ka çuar një letër informuese presidentit të FIFA-s, Xhani Infantinos. E jo vetëm kreut të Federatës Botërore të Futbollit, por dhe sekretares së përgjithshme të FIFA-s, Fatma Samura. Prodani informon drejtuesit e organit më të lartë drejtues të futbollit botëror për gjithçka që ka bërë Federata Shqiptare e Futbollit për të manipuluar të gjithë procesin e zgjedhjeve në Shoqatën Rajonale të Tiranë, gjithnjë sipas tij.

“Më duhet të sqaroj se, pavarësisht nga sa parashtrohet në statutin e saj, SHRFT nuk është angazhuar asnjëherë në organizim veprimtarish futbolli. Atje ka një President dhe një Sekretar të Përgjithshëm (SP) por nuk ka as personel, as komisione pune, as struktura të çfarëdolloji. SHRFT nuk ka miratuar asnjëherë një rregullore të AP (homologe e Rregullores së Kongresit në FIFA dhe/ose Rregullore e Procedurave në UEFA) dhe asnjë komision verifikimi të AP (që është organ thelbësor që certifikon integritetin e AP dhe që kërkohet në Statut)”, thotë Prodani në letrën e tij, ndërsa më pas ka sqaruar gjithçka që ka të bëjë më fushatën, apo dhe numrin e delegatëve që ishin në atë Asamble, ndërsa asnjëherë listat nuk iu vunë në dispozicion.

Madje Prodani i ka treguar FIFA-s edhe mënyrën se si hynë delegatët në sallë, apo dhe rojet e sigurisë, që lejuan të kalonin vetëm emrat, që ishin në listën e përpiluar nga Federata Shqiptare e Futbollit. “Këshilltarët ligjorë sigurisht nuk u lejuan të hynin pavarësisht se kishin autorizime nga subjektet anëtare të përfaqësuara. Dy anëtarë të KE të FSHF, ish-kryetari i SHRFT (me mandat të skaduar javë më parë) dhe SP i SHRFT kishin vetëvendosur të uleshin në tryezën drejtuese të mbledhjes.

Sekretariati i Mbledhjes përbëhej nga SP i FSHF dhe Drejtori Juridik i FSHF. Ne sallë nuk kishte sinjal telefoni, as internet dhe, përveç stafit të FSHF, askush nga delegatët nuk mund të komunikonte me jashtë, pra dhe me këshilltarët ligjorë që kishin mbetur te porta e jashtme”, vazhdon më tej Prodani në letrën e tij për FIFA-n. E pasi ka numëruar të gjitha shkeljet, Prodani i ka bërë të ditur FIFA-s se do të jetë i gatshëm të informojë në çdo kohë për parregullsitë që po ndodhin, sepse është Federata Shqiptare e Futbollit ajo që duhet fajësuar për nxitjen dhe lejimin e kësaj që po ndodh.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img