Friday, April 26, 2024

Programi i ri për sportin në shkolla, qeveria prezanton projektin e ekipeve sportive në tre nivelet e sistemit arsimor

Lexo

I komentuar prej kohësh si një mbështetje e fuqishme për zhvillimin dhe masivitetin e sportit në shkolla, projekti i hartuar nga qeveria shqiptare është prezantuar sot në një takim që Kryministri Edi Rama zhvilloi me 61 Kryetarët e Bashkive dhe me të gjithë drejtorët e arsimit në të gjithë Shqipërinë për fillimin e implementimit të projektit të ekipeve sportive në të treja nivelet e sistemit arsimor, shkollat 9-vjeçare, gjimnaze dhe univesitete.

Gjatë takimit u informuan të gjithë aktorët që do të angazhohen me kete Mega-Projekt mbi zhvillimin e sportit në shkolla e universitete dhe mbi gjallërimin e jetës sportive në çdo skaj të Shqiperisë, për një Rini më të shëndetshme e më pranë palestrave dhe për një jetë më të shëndetshme me aktivitete sportive.

“Është një boshllëk shumë i madh, sidomos në periferi, sidomos në Bashkitë e vogla ku për fëmijët dhe të rinjtë nuk ka puthuajse fare aktivitet të organizuar në vijmësi që t’u japë mundësinë që në këtë boshllëk të kenë një hapësirë edukimi, një hapësirë që ndihmon për mirë zhvillimin e tyre. Programi i sportit, sigurisht që do na ndihmojë për të filluar një spostim të rëndësishëm të aktivitetit nga pjesa e atij që sot zhvillohet në qytete të ndryshme dhe është komplet informale, me klube sportive, me rrethe sportive fëmijësh që janë në informalitet të plotë. Rrethe dhe klube për të cilat prindërit shpenzojnë jashtëzakonisht shumë para. Në një hapësirë të organizuar, të formalizuar, e cila prodhon edhe aktivitet social”, ësht shprehur ndër të tjera kreu i qeverisë shqiptare.

Në një angazhim të tillë, përveç Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Ministrisë së Rinisë dhe Fëmijëve dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, është i përfshirë dhe Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar. Organizmi më i lartë i olimpizmit në vend do të jetë koordinatori kryesor i këtij programi, që për kryeministrin Rama është vazhdimësi e saj që ka nisur me shtimin e orëve të mësimit të edukimit fizik.

Programi i ri i sportit në shkolla pas së cilës do të ketë më shumë masivitet dhe cilësi ka bërë të kënaqur presidentin e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, që ka specifikuar dhe disiplinat e para nga ku do të nisë ky program.

“Misioni i këtij projekti është që të arrijë të risjellë kulturën sportive, që promovon një jetë aktive të shëndetshme, me parimet olimpike  si pjesë e jetës së përditshme. Objekti i përgjithshëm është kthimi i një program kombëtar për sportin, që kryesisht në këtë vitin e parë do të jetë në dy sporte, kaq ishte buxheti. Duke qënë se është një megaprojekt për sportin, ne do të kemi basketboll dhe volejboll”, u shpreh kreu i olimpizmit shqiptar, Fidel Ylli.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img