Vlonjati i Vllaznisë Ardit Hoxhaj, është ndër futbollistët e spikatur të skuadrës kuqeblu. Falë vlerave të shfaqura me skuadrën shkodrane, ku edhe shpesh herë ka shënuar gola përcaktues në shërbim të rezultateve të Vllaznisë.
I tillë ishte edhe goli që ai shënoi mbrëmjen e djeshme ndaj skuadrës rumune Universitatea Craiova. Gol i cili i dha barazimin skuadrës së tij, pasi më herët miqtë kishin shënuar të parët duke kaluar në avantazh 0-1.
Në prononcimin e dhënë pas ndeshjes, ai shprehet i kënaqur për golin e shënuar që id ha Vllaznisë barazimin, por në vazhdimësi, në bashkëbisedim me gazetarët, ai reagon ndaj qëndrimit në stol, që sipas tij po bëhet e shpeshtë duke pasë parasysh edhe periudhën e mëparshme kur drejtonin trajnerë të tjerë.
“Më vjen për të qeshur, sepse ky rast më është bërë si një ‘deja vu’ tani. Gjithsesi, unë jam aty në shërbim të ekipit dhe më vjen mirë që ndodh kështu. Sa herë i duhem Vllaznisë, jam në momentin dhe kohën e duhur. Unë jam lojtar profesionist dhe si të jem në formacion apo të futem nga stoli, sillem njëlloj në fushë. Pra, jap 100% për skuadrën. Ta dija që do të shënoja çdo ndeshje sa herë futem si zëvendësues, do t’i kërkoja trajnerit të qëndroja në stol gjithnjë. Nëse do të më lënë prapë në stol, do të shënoj edhe në Rumani, e sigurt.
Normalisht unë kërkoj të jem një lider te Vllaznia dhe klubi më ka ofruar një kontratë të tillë. Shumë herë, në rastet kur ekipi nuk ka pasur rezultate, jam unë që jam ulur në stol. Nuk e di pse duhet të ndodhë kjo gjë gjithmonë me mua?! Jam te Vllaznia, pasi kam refuzuar një ofertë nga jashtë për të qenë lider i ekipit. Nuk jam këtu që në një moment që Vllaznia ecën keq, të jem unë i pari që pësoj me lënien në stol. Nuk është revoltë, sepse nëse i referohemi ndeshjes me rumunët, profesor Josa mendon të bëjë atë që është më e mira për ekipin sa i përket vazhdimësisë. Unë e kam për të shkuarën, sepse në momentin që rinovova, më pas sa herë skuadra nuk shkonte mirë, isha unë i pari që ulesha në stol.”, është shprehur Ardit Hoxhaj.
Video: Prononcimi i plotë i futbollistit të Vllaznisë, Ardit Hoxhaj, pas ndeshjes, Vllaznia-Universitatea Craiova, 1-1)